Limaj në Berlin takon Johann Wadephul, diskutojnë për samitin e Parisit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, gjatë një vizite zyrtare në Gjermani, është takuar me deputetin në Bundestag dhe raportues për Ballkanin Perëndimor, Johann Wadephul, i cili ka thënë se Kosova dhe Serbia të përgatiten mirë për konferencën e Paris dhe të jenë në gjendje të arrijnë kompromis.

Wadephul i cili është edhe nënkryetar i fraksionit CDU-CSU, në një konferencë për media, ka thënë se kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, por gjithashtu edhe lidhur me gjendjen në Kosovë dhe procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilat Gjermania është shumë e interesuar të ndihmojë.

“Për ne është shumë e rëndësishme që pas konferencës që patëm këtu në Berlin, ideja e shkëmbimit të territoreve apo e korrigjimit të kufijve është lënë anash. Kjo mund të jetë zgjedhje për Kosovën, Serbinë por mund të shkaktojë më shumë probleme sesa që mund të prodhojë efekte pozitive në zgjedhjen e problemeve mes këtyre dy shteteve. Kështu që këshilla jonë për të dy palët do të jetë të përqendrohen në procesin e kompensimit dhe në përgatitjen e konferencës në Paris më 1 dhe 2 korrik të këtij viti. E presim me padurim këtë fazë me shpresën se do të mund të shohim rezultatet e tyre konkrete dhe me mirësjellje kërkojmë nga të dy palët të përgatiten mirë dhe të jenë në gjendje të arrijnë kompromis….Të dy shtetet, Serbia dhe Kosova janë në rrugën e tyre drejt Evropës dhe ajo që Gjermania mund të bëjë dhe do të bëjë është, natyrisht, çështja e liberalizimit të vizave e cila është e rëndësishme për Kosovën. Shpresojmë të gjejmë zgjidhje në kohë të parashikueshme në këtë çështje”, ka thënë ai.

Kurse, Fatmir Limaj pas takimit tha se kanë diskutuar për përgatitjen e takimit të Parisit, dialogun me Serbinë, taksën dhe liberalizimin e vizave.

“E sigurova në emër të Qeverisë së Kosovës jemi të përkushtuar për dialogun Kosovë-Serbi dhe për ta përmbyllur këtë çështje, ne duam që vendi ynë dhe investimi ynë i përbashkët për 20 vite në një shoqëri multi-etnike me asnjë gjë të mos cenohet, ne duam ta konsolidojmë shtetin tonë dhe duam si vendet tjera të rajonit të rrugëtojmë drejt qëllimit të përbashkët për integrime evropiane. Për ne, Samiti i Berlinit e kemi pasur një mundësi për zhbllokim dhe heqjen nga tavolinat të ideve që nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemit dhe besoj që takimi i Parisit do të përgatitet edhe më mirë, angazhimi i Gjermanisë për ne është shumë i rëndësishëm dhe na jep siguri dhe ngrit seriozitetin ”, tha ai.

Limaj foli edhe për liberalizimin e vizave.“Angazhimi i Gjermanisë në liberalizimin e vizave është krucial për Kosovën. Miqtë tanë këtu e dinë se sa është i rëndësishëm liberalizimi i vizave për Kosovën dhe ne presim që shumë shpejt kjo çështje të merr fund dhe qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm, aty ku e kanë vendin drejt perëndimit “, ka thënë ai.

Limaj gjatë ditës së sotme do të zhvillojë takime të rëndësishme në Bundestagun gjerman, në Zyrën e Kancelares Merkel, si dhe në Ministrinë e Jashtme

.Kjo vizitë e Limajt po ndodhë vetëm disa ditë pas mbajtjes se samitit të Berlinit të organizuar nga kancelaria gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.