Limaj: Kurti synon pushtet absolut, si Vuçiqi

Kandidati për Kryeministër nga radhët e Nismas Socialdemokrate, Fatmir Limaj, po thotë se pushteti absolut, do të sillte degjenerim total në shtetin e Kosovës, ndërsa ka komentuar mundësitë e fitores së Vetëvendosjes si subjekt i vetëm në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Për këtë ai në Rubikon me Adriatik Kelmendin, nxori një krahasim ndërsa përmendi pushtetin absolut të Aleksandar Vuçiqit, për të cilin tha se po e synon ngjashëm edhe Albin Kurti, njofton Klan Kosova.

”Unë besoj që ai nuk fiton. Sepse një Kosovë që jetojmë unë e ti, nuk besoj kurrë që pranon të jetojë e të qeveriset nga një parti politike”.

”Nuk besoj kurrë në Kosovë që do ta lejonte t’i hipte atij rreziku për të lejuar një parti politike të jetë e vetëmjaftueshme për të qeverisur”.

”Nëse ndodhë, ndodhë. Çka do që vendos populli ne duhet ta respektojmë e ta pranojmë si fakt. Kjo është traditë e ndërtuar në demokraci”.

”Pse po them kështu sepse është me rrezik. Shteti i Kosovës është ende i brishtë. Ky shtet, duhet të ketë kujdes se nga pushteti absolut, degjenerimi absolut vjen”.

”Dhe ky vend nuk e ka luksin dhe pjekurinë e mjaftueshme institucionale politike, që të qeveriset nga një parti politike, pa një degjenerim masiv. Me koalicione kemi pasur problem me qeverisje, e merre me mend një pushtet absolut çka mund t’i ndodhë një vendi”.

”Shiqoni çka po ndodhë në Serbi”, shprehet Limaj.

Rubikon:  Ajo mund të ndodhë në Kosovë? – po e krahasoni [Albin Kurtin] me Aleksandër Vuçiqin?

”Pushtet absolut a ka Vuçiqi në Serbi? – dhe krejt është tjetër gjë shteti serb me Kosovën”, përgjigjet Limaj, njofton Klan Kosova.

”Nëse ia jep votën 90% të shqiptarëve të Kosovës, urime i qoftë”.

”Por, unë po them mendimin tim. Shteti ynë dhe qytetarët e këtij vendi  nuk besoj që do të lejonin që një parti politike ta ketë pushtetin absolut sepse do të ishte e dëmshme për vet qytetarët e Kosovës”.