Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj bashkë me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala kanë përuruar asfaltimit e Zonës Ekonomike në Suharekë, që është kompletimi i infrastrukturës dhe funksionalizimit të kësaj zone.
Zëvendëskryeministri Limaj ka thënë se ky është një premtim i para dy viteve që përmbushet.
Limaj ka thënë se bizneseve të Suharekës po iu krijohen kushte për ta ushtruar veprimtarin dhe po ashtu kjo zonë po bëhet bosht i punësimit dhe zhvillimit.
“Është e disata herë që e vizitoj këtë park të Suharekës dhe kam dhënë premtim se do ta ndihmoj dhe mbështes këtë park për kompletimin e infrastrukturës, dhe para dy viteve e kemi dhënë një premtim se do ta kompletojmë të gjithë infrastrukturën që iu duhet kompanive këtu. Këtu janë mbi 70 biznese, ndërmarrje të vogla të mesme dhe ndal ngadalë po kthehen në bosht të punësimit dhe zhvillimit ekonomik të Suharekës. Shteti e ka për obligim që t’iu krijojë infrastrukturë fizike në mënyrë që bizneset të fokusohet për investime në teknologji dhe në rritje të punësimit”, ka thënë Limaj.
Ndërsa ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala ka thënë se kjo zonë ekonomike për dhjetë vjet ishte harruar nga dora e shtetit.
Ministri ka thënë se përfundimi i zonë s ekomomike, mundëson zhvillimin dhe rritjen e bizneseve.
“Unë sot bashkë me kryetarin Limaj jemi në vizitë në këtë zonë ekonomike, që për dhjetë vjet ka qenë e harruar nga dora e shtetit dhe premtimi i kryetarit Limaj është realizuar. Kjo zonë ekonomike është funksionale me të gjithë infrastrukturën përcjellje që ta kenë më të lehtë bizneset të operojnë. Jemi në një zonë ekonomike që i ka 160 hektar në dispozicion për bizneset e Suharekës dhe janë investuar 2.6 milionë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Tashmë kjo zonë është funksionale për operim dhe njëkohësisht ashtu siç e kam thënë jemi duke investuar edhe në 3 zona tjera ekonomike, që bizneseve t’iu krijojmë kushte”, ka thënë ministri Shala.











