Ligji i ri zvogëlon Qeverinë

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, aktualisht ka 21 ministra, tre zëvendëskryeministra dhe 80 zëvendësministra. Të gjithë këta zyrtarë, kanë të punësuar edhe numër të madh të këshilltarëve të tyre politikë.

Por, një Qeveri kaq e madhe për një vend me më pak se dy milionë banorë, nuk parashihet të jetë e tillë në mandatin e Qeverisë së ardhshme, pasi që kjo çështje pritet të rregullohet me Ligjin për Qeverinë. Përmes këtij ligji, ekzekutivi në Kosovë po synon të ulë numrin e ministrive, përkatësisht ministrave, por edhe të zëvendësministrave.

Kryesuesi i Komisionit për hartimin e Projektligjit, Besnik Tahiri, që njëherësh është edhe Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, tha për Radion Evropa e Lirë se Ligji për Qeverinë, është ligji i dytë më i rëndësishëm për administratën e shtetit, pas miratimit të pakos së reformave shtetërore.

Sipas tij, ky ligj e rregullon funksionimin dhe përgjegjësitë e ministrive si dhe trajton aspektin që lidhet me numrin e resorëve. Në masë të madhe, thekson ai, ligji në fjalë i saktëson detyrat dhe përgjegjësitë e secilit sektor veç e veç.

“Ky ligj nuk do të ketë kuptim nëse nuk sanksionohet, nuk vendoset një tavan për numrin e ministrive, që nënkupton që ky ligj, detyrimisht do të bëj zvogëlimin e ministrive, sikurse që do të bëjë zvogëlimin e zëvendëskryeministrave dhe zëvendësministrave”, tha Tahiri.