Ligji i Putinit më 12 qershor ia ngjet drynin mediumit të pavarur rusë “VTimes”

Media e pavarur e Rusisë për lajmet dhe ekonominë VTimes ka njoftuar se do të mbyllet më 12 qershor, vetëm disa javë pasi autoritetet ruse e kategorizuan “agjent të huaj”.

VTimes u nis tetorin e vitit të kaluar nga një grup ish redaktorësh dhe gazetarësh të vjetër të cilët u larguan nga e përditshmja e biznesit Vedomosti pasi u përplasën me kryeredaktorin e sapoemëruar Andrei Shmarov, të cilin ata e akuzuan për censurimin pro-Kremlin.

Publikimi i të enjtes i kësaj gazete sqaron se modeli i saj i biznesit është “shkatërruar” pasi Ministria Ruse e Drejtësisë muajin e kaluar shtoi organizatën holandeze “Stichting 2 Oktober”, që boton edhe VTimes në regjistrin e saj të “mediave të huaja masive që kryejnë funksionet e një agjenti të huaj”.

Në një deklaratë, stafi editorial i VTimes thanë se burimet e tyre të financimit, reklamuesit dhe partnerët, janë tërhequr në masë të madhe që nga përcaktimi i Kremlinin për këtë medium si ‘agjent i huaj’.

Përcaktimi gjithashtu ka penguar mbulimin e lajmeve të faqes në internet duke bërë që burimet e qeverisë, biznesit dhe analistëve të saj të kenë frikë të japin komente për gazetarët e saj, tha VTimes.

VTimes tha se shikoi shtatë opsione për të ecur përpara pas etiketimit të saj “agjent të huaj” por që asnjëri prej tyre nuk u tregua i vlefshëm pasi stafi do të përballej me akuza penale dhe burgim në secilin rast.

“Kur kemi lansuar VTimes vitin e kaluar, ne njoftuam se nuk po krijonim një mjet propagande, por një media me cilësi të lartë dhe të pavarur dhe një platformë për shkëmbimin e lirë të mendimeve konstruktive. Dhe sot ne jemi krenar të themi: Ne e bëmë atë! Por ne kemi parë vetë që autoritetet nuk kanë nevojë për media profesionale, por të kontrolluara nga qeveria”, thuhej në deklaratën e saj.

VTimes tha se do të ndërpresë botimin dhe mbledhjen e fondeve më 12 Qershor – Ditën e Pavarësisë së Rusisë.

Ligji “agjent i huaj” i Rusisë, i prezantuar për herë të parë në vitin 2012 pas protestave masive anti-qeveritare, fillimisht synoi OJQ-të që Kremlini besonte se kishin fonde të huaja. Rusia që atëherë ka zgjeruar gradualisht ligjin, për të cilin kritikët thonë se synon të mbytë zërat e pavarur, për të përfshirë organizata dhe media të “padëshirueshme” si dhe qytetarë të zakonshëm.

Sipas ligjit, çdo individ ose grup që merr fonde nga çdo shumë nga jashtë mund të etiketohet si “agjent i huaj”. Individëve dhe grupeve të etiketuar u kërkohet të raportojnë aktivitetet dhe financat e tyre në kontrolle rigoroze dhe të përballen me gjoba të mëdha për shkeljet. Nga media të tjera gjithashtu kërkohet që të etiketojnë qartë entitetet e caktuara si “agjentë të huaj” dhe të përballen me gjobë nëse nuk e bëjnë këtë.

Përcaktimi i VTimes erdhi disa javë pasi Meduza, faqja kryesore në internet e pavarur e lajmeve me bazë në Letoni, u etiketua gjithashtu si “agjent i huaj”. Meduza është zotuar të sfidojë etiketën në gjykatë dhe nisi një fushatë të financimit të njerëzve në një përpjekje për të kompensuar një eksod reklamuesish.

BE së fundmi kritikoi Rusinë për legjislacionin e saj “agjent të huaj”, duke thënë se ajo “kontribuon në një shkelje sistematike të lirive themelore dhe kufizon shoqërinë civile, mediat e pavarura dhe të drejtat e opozitës politike në Rusi”.

Të martën, ish-Kryeministri Dmitry Medvedev mbrojti etiketimin e Meduza dhe VTimes si agjentë të huaj, duke thënë se lexuesit e tyre “meritojnë të dinë se çfarë po lexojnë”.

Deklarata e VTimes nuk përcaktonte se çfarë do të bëjë stafi i saj në të ardhmen, vetëm duke thënë se “mbyllja e projektit VTimes nuk do të thotë që ne po braktisim parimet tona dhe po largohemi nga profesioni”.