Liberalizimi i vizave “dhuratë” për festat e fundvitit

Festat e fundvitit po afrohen e bashkë me këtë edhe data e premtuar për liberalizimin e vizave.

Dita e krishtlindjeve ishte afati i fundit që u përmend nga kryeministri në detyrë Ramush Hradinaj.

Por tash kur kanë mbetur edhe pak ditë, një premtim i tillë po shihet të jetë vetëm ëndërr.

Njohësit e çështjeve politike në vend thonë se për shkak të problemeve të brendshme me të cilat përballet BE, e shohin të pamundur që një premtim i tillë të realizohet.

Leon Duhanaj, në një prononcim për arbresh.info tha se përveç problemeve të brendshme në BE, të cilat shihen si pengesë për liberalizimin e vizave të Kosovës, pengesë tjetër është edhe lufta e krerëve për pushtet dhe mos bashkëpunimit mes vete.

“Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, që moti, është shndërruar më shumë në kauzë politike, se sa teknike. Kjo pasi që BE gjendet në një fazë delikate, ku shtetet anëtare janë larguar shumë në qëndrime për sa i përket të ardhmes së përbashkët evropiane. Natyrisht që në disa periudha, e patëm rastin e përfitimit, duke shfrytëzuar disa konjuktura politike të BE-së e që na u ofruan. Por, ne dështuam ta kapitalizojmë çdo shans që na u dha, si pasojë e përçarjeve të brendshme dhe luftës së pakompromis për pushtet, shih demarkacionin me Malin e Zi. Edhe sot. Edhe përkundër një gatishmërie posaçërisht nga ana e Gjermanisë, shqiptarëve po u ikë mundësia pasi që, nuk po arrimë të bëhemi gati për asnjë partneritet të mirëfilltë. Mund të ndodhë që Gjermania, megjithatë ta provojë ta shtyjë ketë çështje në institucionet e BE-së, por nuk jam i sigurt që do ta arrij ta bëj ketë”, tha Duhanaj

Ndërsa analisti tjetër Bekim Kabashi, thotë se Kosova mund ta ketë fatin e njejtë sikurse rasti i shtyrjes së negociatave Shqipërisë dhe Maqedonisë, tek të cilat ndikoi shteti francez.

Kosova, sipas tij, mund ta ketë këtë fat nga vendet si Franca e Holanda, që të shtyhet vendimi për liberalizmin e vizave.

“Kosova ka shume kohë që i ka përmbushur kriteret e kërkuara nga BE, gjë që vendimi do të duhej të vinte shumë kohë më herët. BE po kalon një periudhe jo të mirë brenda saj, me krizën e refugjateve, e edhe me besimin që vendet anëtarë kanë humbur ndaj këtij unioni të shteteve. Është rasti i fundit me hapjen e negociatave për Maqedoninë dhe Shqipërinë, ku pavarësisht konstatimit të gjithmbarshëm që vendimi për këto dy vende duhet të jetë pozitiv, ishte vetëm vendimi i Francës i cili bëri që hapja e negociatave për anëtarësim të shtyhet. Rrjedhimisht edhe Kosova mund ta këtë fatin e njëjtë, ku vende si Franca e Holanda, mund të ndikojnë që vendimi për liberalizim të vizave për Kosovën të shtyhet sërish”, thotë Kabashi për arbresh.info

Ndërsa, analisti Fatmir Sheholli thotë se vetëm nga strukturat e BE-së nuk ka ende ndonjë qartësi rreth kësaj çështje.

Sipas tij, nëse kjo çështje ndërlidhet me dialogun Kosovë-Serbi, atëherë do të jetë padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Kohëve të fundit janë shtuar zërat ndërkombëtarë por edhe vendor që Kosova mund të fitojë liberalizimin e vizave. Nga ana tjetër në strukturat e Bashkimit Evropian ende nuk kemi qartësi rreth kësaj çështjeje. Shpresoj që Kosova e ka merituar liberalizimin e vizave sepse nëse kjo çështje ndërlidhet me dialogun Kosovë – Serbi atëherë do të jetë padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”, thotë Sheholli.

Kujtojmë se ditë më parë, shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova, këshilloi politikanët kosovarë që mos të zotohen lidhur me afatet kohore për liberalizimin e vizave, meqë, siç tha ajo tani ky proces është në duart e shteteve anëtare.

Në maj të vitit 2020 mbahen zgjedhjet brenda Parlamentit Evropian, ndërkohë që është edhe çështja e Brexit-it, diçka që mendohet se e vështirëson procesin e Kosovës nëse nuk ka ndonjë vendimmarrje deri atëherë.