LDK: Raporti i Progresit tregon stagnimin e Kosovës drejt integrimit evropian

Gjatë konferencës për media të thirrur nga LDK-ja, deputeti i saj, Armend Zemaj, ka komentuar Raportin e Progresit të BE-së karshi Kosovës.

Ka thënë se ky raport ka dëshmuar se ka munguar vullneti politik i koalicionit qeverisës për avancim në rrugën e integrimit evropian.

“Sundimi i ligjit vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, kemi qeverisje të stërngarkuar me zëvendësministra, e ministra nën akuzë. Shqetësuese për ne është moszbatimi i programit të MSA-së, ku mbi 70% e tij ka mbetur pa u zbatuar. Kjo është shkak edhe i lojërave që po luhen në Kuvend nga ky koalicion”, ka thënë ai.

Zemaj ka shtuar se kjo tregon për papërgjegjësi politike dhe “përmbushje e egos personale sa për të qenë në pushtet”.

Pas tij fjalën e ka marre deputetja tjetër e LDK-së, Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se kjo qeveri, jo veç që nuk ka dëshmuar orientimin properëndimor dhe evropian, por reformat në rrugën evropiane janë stagnuar.

“Shihet qe nuk janë vënë hapa esencialë për anëtarësim në BE. Është thënë se korrupsioni është i lidhur me nivelin e lartë qeverisës. Është konstatuar se ka shpresa shume të vogla në sundim të ligjit përderisa Kosova ka një elitë politike që nuk bën presion për luftimin e dukurive negative”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se Kosova ka dështuar në procesin e njohjeve dhe në diplomacinë e jashtme, në përgjithësi.

“Ka përfaqësues të vendit tonë që e kanë vendosur statusin e Kosovës në tavolinë duke kontestuar kufijtë e shtetit”, ka shtuar ajo.

Në fund, Osmani ka thënë se Kosovës i duhet ndryshim dhe logjikë e re qeverisëse, që “nuk e konsideron buxhetin si pronë private”.