Avdullah Hoti

LDK përsëri kundër ekipit dialogues: Po e dëmton Kushtetutën

Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti e ka qartësuar edhe njëherë pozicionin e subjektit të tij karshi ekipit dialogues.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti është shprehur se koalicioni PAN, thirrjen për unitet në dialog e ka kthyer sipas tij në akuzë djallëzore kundër opozitës.

Siç ka thënë ai, LDK e përkrah dialogun me Serbinë, mirëpo se nuk do të pranojë që formati i ekipit të dialogut ta dëmtojë thelbin e demokracisë.

Ky është postimi i tij në Facebook:

Në javët e fundit, thirrjen pë unitet në dialogun me Serbinë, koalicioni PAN-PSD e ka kthyer në akuzë djallëzore kundër opozitës. Kjo qasje nuk është e sinqertë dhe as e dobishme për shtetin e Kosovës, përkundrazi.

Të mos i ngatërrojmë gjërat. Ne, si gjithmonë, e përkrahim dialogun me Serbinë gjithnjë duke marrë për bazë Kushtetutën. Por, ne nuk do të pranojmë që formati i ekipit të dialogut ta dëmtojë thelbin e demokracisë dhe kushtetushmërisë në Kosovë. Kosova duhet të ketë qeveri që flet në emër të shumicës së qytetarëve në adresimin e të gjitha çështjeve.

Uniteti i cili po pretendohet të arrihet me logjikën “të merremi me Serbinë, jo me njëri tjetrin” është parullë e koalicionit PAN që ka qëllim ta amortizojë veprimtarinë opozitare dhe mbylojë dështimet e veta.

Sa herë që ne bëjmë punën tonë opozitare në mbikëqyrje të qeverisë dhe evidentim të dëmeve që po i bëhen shtetit nga kjo qeveri jo legjitime, koalicioni PAN e përdor dialogun me Serbinë për ta zhvendosur vëmendjen nga dështimet e tyre dhe për ta eklipsuar mungesën e efikasitetit qeveritar.