LDK-PDK: Rezoluta të ngjashme por jo të përbashkëta
Në Seancën e Jashtëzakonshme të mbajtur dje në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës propozoi një rezolutë dhe kërkoi votimin e saj nga deputetët e tjerë.
Pasi Kuvendi nuk kishte kuorum me vetëm 51 deputetë në sallë, seanca u shtye për ditën e sotme, ku edhe pritet të hidhet në votim propozim rezoluta, transmeton Ballkani.info.
Rezoluta e LDK-së, që kishte edhe përkrahjen e Vetëvendosjes kishte vetëm një pikë ku thuhej: “Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se as Presidenti, e askush tjetër, nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës”.
Kësaj rezolute nuk iu kishin bashkangjitur pikat e propozuara nga grupi parlamentar i PDK-së, e cila po ashtu mbronte tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës, por nuk iu drejtohej një individi të vetëm. Ky propozim i PDK-së, nga LDK-ja është cilësuar si përpjekje për të pamundësuar arritjen e unitetit në Kuvend në lidhje me dialogun me Serbinë.
Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu, në një prononcim për Ballkani.info, ka theksuar se PDK-ja është e interesuar në arritjen e një uniteti dhe vullneti të përbashkët të partive politike.
Të dy propozim rezolutat, ajo e opozitës dhe e mazhorancës, të dyja kanë përmbajtje pothuajse të njejtë, vetëm se rezoluta e opozitës i drejtohet edhe Presidentit aktual të vendit, Hashim Thaçit, ndërsa rezoluta e mazhorancës i drejtohet temës aktuale të kufijve.
Kujtojmë se sot pritet që të arrihet një harmonizim i ideve mes partive politike, të bëhet një propozim rezolutë që do të përfaqësonte vullnetin e të gjitha partive politike dhe të hidhet në votim në fillim të seancës. /Ballkani.info/