Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, pritet që të dorëhiqet gjatë javës që vjen, në mënyrë që të plotësohet kushti i Partisë Socialdemokrate (PSD) për votimin e buxhetit 2019 në seancën e 31 janarit të këtij viti.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje do të qëndrojnë pas vendimit për të mos e votuar buxhetin për vitin 2019. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë që koalicioni PAN po bën pazare me partinë opozitare PSD-në për buxhetin e shtetit.
“Është hera e parë që nis viti pa buxhet të miratuar (përjashto vitin 2011, kur nuk ka pasur Kuvend për shkak të zgjedhjeve të dhjetorit 2010). Janë ulur me PSD-në, kanë bërë marrëveshje që nuk janë fare relevante për të përmirësuar strukturën e buxhetit, janë thjesht pazare politike me 2.3 milionë euro të qytetarëve vetëm për të qëndruar në pushtet”, ka thënë ai në një konferencë për medie.
Kurse deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Fatmire Kollqaku, ka thënë për “Zërin” që buxheti i vitit 2019 vetëm sa e përkeqëson gjendjen në të gjitha fushat.
“Ne kemi pasur shumë vërejtje që nuk janë marrë në konsideratë dhe rrjedhimisht ne nuk do të kemi mundësi të përkrahim këtë buxhet, i cili vetëm sa e përkeqëson dhe nuk i kontribuon përmirësimit të situatës në asnjë sektor. Mbetet një buxhet i autostradave dhe tenderëve dhe i përfitimeve të interesave të pushtetarëve”, ka thënë ajo.







