LDK-ja paralajmëron fushatë të ashpër

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar fushatë të ashpër në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Sipas ish-shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në fushatën elektorale “shumë gjëra do të dalin në shesh”, teksa ka paralajmëruar zbulimin e së vërtetës se “pse dhe si ra Qeveria Kurti”.

“Shumë gjana kanë me dal në shesh gjatë kësaj fushate; mbi të gjitha e vërteta se pse dhe si ra qeveria (Kurti), qeveri që rrezikoi ekzistencën e Kosovës duke e futur në konflikt me administratën më atipike të SHBA-ve!” ka shkruar ai në Facebook. “Së shpejti, heshtja merr fund!”

LDK-ja dhe Vetëvendosje e Albin Kurtit ishin bërë bashkë për të qeverisur pas zgjedhjeve të vitit të shkuar, me VV-në që doli e para. Kurti u bë kryeministër, por LDK-ja rrëzoi Qeverinë pas 50 ditësh. Menjëherë më pas, mori vetë përsipër udhëheqjen duke e bërë kryeministër Avdullah Hotin. Ai megjithatë u rrëzua pasi deputetë të VV-së dërguan në Gjykatën Kushtetuese votën e deputetit Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me vepër penale. Kushtetuesja të mërkurën publikoi aktgjykimin e plotë duke shpallur jolegjitime votën vendimtare të Arifit duke çuar vendin në zgjedhje të reja.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, caktoi zgjedhjet më 14 shkurt. Fushata do të nisë më 3 shkurt.