Opozita

LDK e VV pritet të refuzojnë takimin e nesërm me ambasadorët për dialogun

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar për të enjten sërish në takim krerët e shtetit, ekipin negociator dhe përfaqësuesit e opozitës për të koordinuar qëndrimet e shtetit të Kosovës në dialog me Serbinë.

Pas takimit të sotëm, ku Veseli për herë të parë mblodhi së bashku Presidentin, Kryeministrin dhe anëtarët e ekipit negociator, kreu i Kuvendit ka vendosur të shkoj edhe një hap më tutje për të përçuar edhe tek partnerët ndërkombëtar unitetin e palës kosovare duke ftuar një takim të përbashkët edhe me ambasadorët e vendeve të Quintit dhe përfaqësuesit e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Burime brenda institucioneve të Kosovës bëjnë të ditur se shumica e ambasadorëve të QUINT-it tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim që e ka ftuar kryeparlamentari Kadri Veseli.

Por, LDK dhe VV sipas qëndrimeve të deritashme pritet të refuzojnë edhe këtë takim me vendet e QUINT-it duke betonizuar qëndrimet kundër bashkëpunimit në procesin e dialogut, edhe pse gjatë gjithë kohës kanë shkruar letra tek ndërkombëtarët dhe kanë kërkuar nga ambasadorët që tu jepet hapësirë në dialog.