​LDK dëshiron listë të përbashkët, jo koalicion me AKR-në

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës u mblodh gjatë ditës së shtunë për të diskutuar rreth listës së kandidatëve për deputetë me të cilën do të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Pas mbledhjes, nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri deklaroi para mediave se LDK është duke punuar që brenda afateve ligjore të dorëzojë listën duke shprehur besimin se e njëjta do të përbëhet nga emra të besueshëm që përfaqësojnë grupe të ndryshme.

“Ne jemi të gatshëm që edhe nesër, edhe ditëve në vijim, t’i plotësojmë kushtet ligjore dhe kushtetuese në mënyrë që në afate ligjore emrat e LDK-së të zbardhen. Besoj shumë që kanë me qenë emra kredibilë, përfaqësues, burra e gra që përfaqësojnë ideologjinë dhe politikën e LDK-së, duke përfaqësuar edhe rininë dhe grupet e tjera, qofshi ata që jetojnë jashtë dhe punojnë e kontribuojnë për republikën tonë”, deklaroi Haziri.

Sa i përket koalicioneve, Haziri tha se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe i nominuari për kryeministër Avdullah Hoti kanë autorizimin për të biseduar me individë dhe parti politikë që dëshirojnë të bëhen pjesë e listës së kësaj partie.

“Ende nuk ka përfunduar asgjë. Jemi në bisedime. Kryetari i LDK-së ka autorizimet së bashku me të nominuarin për kryeministër për të realizuar takime, edhe me parti politike, edhe me individë apo eksponentë të tjerë që mund të jenë pjesë e LDK-së por të përfaqësuar brenda listës së LDK-së, brenda një liste të përbashkët të LDK-së. Me vet faktin që janë në bisedime e zhvillim e sipër nuk do të doja të komentoja më shumë por besoj se do të jenë bisedime që deri në mesin e javës së ardhshme duhet të përfundojnë dhe duhet të jenë të qarta”, vijoi Haziri.

Nënkryetari i LDK-së, u shpreh se nuk është qëllim i LDK-së që të ketë një koalicion klasik dhe se kush dëshiron bashkëpunimin me këtë parti, përfshirë edhe AKR-në, duhet të shkrihet brenda një liste të përbashkët.

“Besoj që nuk lidhet asgjë, parimisht koalicione parazgjedhore nuk do të ketë në kuptimin klasik ajo që jemi mësuar të shohim deri tash. Do të ketë koalicione me parti ose individë të përfaqësuar në një front politik të përbashkët, ose një listë të përbashkët politike sepse zgjedhjet edhe ashtu janë të jashtëzakonshme dhe kanë natyrën e tillë të punës”, u shpreh Haziri.

Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës pritet të mbahen më 14 shkurt.