Lansohet granti i performancës së komunave

Sot u lansua granti për performancën e komunave, i cili është organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, ku përfituese nga ky program për vitin 2019 janë 19 komuna.

Ivan Todosijeviq, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, tha se përmbushja e 14 kritereve të performancës e bën më të mirë jetën e qytetarëve. Sipas tij, për vitin 2019 janë përzgjedhur 19 komuna përfituese me vlerën 2 milionë e 250 mijë euro.

Ai ka inkurajuar krerët e komunave që të tregojnë performancë më të mirë me qëllim që të përfitojnë nga ky grant, si dhe të gjejnë forma tjera për të rritur performancën komunale.

Hyzer Gashi nga ministria e Financave, tha se financimi i komunave dhe realizimi i mirëfilltë i buxheteve të tyre ndikon në jetën e qytetarëve, andaj si ministri janë të përkushtuar në financimin e tyre. Sipas tij komunat përmes këtij granti po stimulohen për një performancë më të mirë në qeverisjen lokale.

Ambasadori zviceran Jean-Hubert Lebet me këtë rast tha se menjëherë pas luftës Zvicra filloi ndihmën ndaj Kosovës, duke përfshirë disa lloje të ndihmave me ndikim në komuna.

Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm në rajon i cili ka një sistem të menaxhimit të performancës, duke rritur në këtë mënyrë llogaridhënia dhe transparenca e punës së komunave. Granti i performancës i implementuar nga Helvetas Demos është projekt, i cili ka filluar në vitin 2017.