Lansohet formulari elektronik për subvencionimin e policave kufitare për bashkatdhetarë

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se është lansuar formulari elektronik për subvencionimin e policave kufitare për të gjithë bashkatdhetarët që hyjnë në Kosovë gjatë vitit 2022.

Për dallim nga herët e kaluara, këtë vit subvencionimi për polica kufitare do të bëhet duke rimbursuar bashkatdhetarët me vlerën e plotë të primit që kanë paguar në kufi.

“Aplikimin për rimbursim mund ta bëjnë të gjithë bashkatdhetarët që kanë paguar policën kufitare nga data 1 janar 2022 përmes aplikimit në vjegëzën në vijim: https://masa4-5.rks-gov.net . Në formën elektronike duhet të plotësohen të dhënat personale, të dhënat për policën dhe automjetin, si dhe të dhënat bankare të përfituesit në një bankë në Kosovë”, njofton MF-ja.

“Në këtë rast, përfitues mund të jetë edhe familjari që jeton në Kosovë. Aplikimet do të shqyrtohen dhe verifikohen në baza mujore dhe vlera e rimbursimit të policës kufitare do të transferohet në llogarinë bankare të përfituesit në fund të çdo muaji. Duke vlerësuar lartë kontributin e diasporës tonë në zhvillimin ekonomik të vendit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve synon që të lehtësojë barrierat për mërgatën tonë, deri në një zgjidhje të përhershme për Kartonin e Gjelbër, çështje e cila veçse është duke u trajtuar në vazhdimësi nga MFPT dhe ministritë e linjës”, njofton Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.