Lampard flet për mungesën e Hazardit

Frank Lampard ka pranuar se Chelsea do të duhet të ndajë objektivat e Eden Hazard edhe te lojtarët tjerë të skuadrës.

Hazard shënoi 21 gola, në sezonin e tij të fundit me klubin përpara se të transferohej te Real Madridi në një marrëveshje prej 150 milionë eurove.

Tammy Abraham, Olivier Giroud dhe Michy Batshuayi janë opsionet për qendrën e sulmit të Chelseat për këtë sezon, teksa për momentin “The Blues” nuk mund të transferojnë futbollistë për shkak të dënimit nga FIFA.

Christian Pulisic, Willian, Pedro dhe Callum Hudson-Odoi dhe mesfushorët Mason Mount, Ross Barkley dhe Ruben Loftus-Cheek do të pritet që të gjithë të futen gjithashtu.

I pyetur nëse Chelsea ka një njeri me 20 gola në sezon apo duhet të ndajë detyrat e shënimit, Lampard u përgjigj: “Ne do të duhet ta gjejmë atë mes grupit”.

“Unë i njoh ato statistika dhe unë e di se sa gola kishte Eden Hazard në drejtim të shënimit dhe asistimit”.

“Ekziston cilësi e mjaftueshme në këtë ekip për të fituar lojëra me siguri pa Eden. Ai nuk është këtu tani, kështu që është fundi i asaj historie.”

loading…