LAJMI I FUNDIT! Gjysmëvjetori i ri në Kosovë do të vazhdojë në shkolla

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë, gjysmëvjetorin e dytë shkollor 2020/2021 do ta vazhdojnë fizikisht në shkolla, thotë ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj. Megjithatë, mësimdhënësit kanë kërkesa në mënyrë që mësimi të vazhdojë në kohën e paraparë.

Ministri në detyrë, Likaj në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se nuk ka ndonjë vendim të ri, kështu që mësimi do të vazhdojë sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), për ruajtjen e shëndetit të nxënësve në shkolla. Në këtë udhëzim thuhet se shkollat duhet të sigurojnë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.

Përgatitjet për vazhdimin e mësimit, sipas Likajt, tashmë kanë filluar dhe shumica e shkollave janë dezinfektuar.

“Shkollat vazhdimisht janë duke u furnizuar me pajisje mbrojtëse dhe dezinfektues nga Departamentet Komunale të Arsimit. Një kontingjent do të shkojë edhe nga ministria, por edhe nga donatorët dhe partnerët zhvillimorë. Kështu që ne jemi të përgatitur, në qoftë se nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket rekomandimeve të Ministrisë se Shëndetësisë dhe IKSHPK-së, që të fillojmë të përgatisim pjesën e gjysmëvjetorit të dytë më 18 janar, 2021”, tha Likaj.

Qeveria në detyrë e Kosovës, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ka marrë vendim që gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/2021 të përfundojë më 18 dhjetor dhe gjysmëvjetori i dytë të nisë më 18 janar.

Në bazë të kalendarit shkollor, mësimi në Kosovë ishte dashur të përfundojë më 24 dhjetor dhe të nisë më 8 janar.

Viti shkollor 2020/2021 ka filluar më 14 shtator dhe është paraparë të realizohet përmes tre skenarëve. Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë apo online.

Edhe udhëheqës të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë(SBASHK), pohojnë se gjysmëvjetori i dytë duhet të fillojë në objektet shkollore. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, tha se pajtim më Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës është vendosur që mësimi të vazhdojë në shkolla më 18 janar.

“Me prezencën në shkollë, mësimi është më i frytshëm, jep rezultate më të mëdha sepse mësimi online është treguar më i vështirë për situatën te ne në Kosovë”, tha Jasharaj.

Mësimi nga bankat shkollore po preferohet edhe nga Këshilli i Prindërve të Kosovës. Ymret Reshiti nga ky Këshill, thotë se mësimi në distancë, i imponuar nga masat që u morën për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, nuk arriti të realizojë objektivat e duhura.

“Skenari A është më i dëshirueshëm, pasi mendojmë se pjesa e parë e procesit mësimor ka treguar që janë kushtet që mësimi të zhvillohet në shkolla me orar të reduktuar”, tha Reshiti.

Por, Rrahman Jasharaj thotë se mësimdhënësit kanë kërkesa në mënyrë që të vazhdojë mësimi në kohën e paraparë. SBASHK-u kërkon nga Qeveria në detyrë e Kosovës, që të ndajë mjete shtesë prej 100 euro në paga për gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit për muajt tetor, nëntor e dhjetor vitit të kaluar, për të vazhduar edhe në vitin e ardhshëm për gjithë kohën sa zgjat pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.

Kjo kërkesë sipas tij, është për shkak se mësimdhënësit janë të rrezikuar nga infektimi me koronavirus. Sipas SBASHK-ut, në pjesën e parë të vitit shkollor, vetëm në intervalin kohor 11 nëntor –14 dhjetor të vitit të kaluar, 2,301 punëtorë të arsimit janë infektuar me koronavirus.

“Nëse këto nuk ecin si duhet, kam frikë se Këshilli Drejtues në takimin që do të mbajmë, duke sjellë zërin dhe idetë e punëtorëve të arsimit, që nga çerdhet deri në universitet, mund të paralajmërojmë edhe veprime të caktuara sindikale të cilat nuk janë të dëshirueshme. Pra, mund të kemi telashe, nëse qeveria në detyrë nuk reflekton, nuk na takon dhe nuk bashkëveprojmë angazhimet për të gjetur një zgjidhje për kërkesën e punëtorëve të arsimit”, thekson Jasharaj.

Numri i përgjithshëm i mësimdhënëseve në nivel vendi është mbi 23 mijë, por me stafin tjetër të angazhuar, numri arrin në 28 mijë.

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, thotë se e kupton angazhimin e mësimdhënësve, por shuma e kërkuar nga SBASHK-u është papërballueshme për buxhetin. Megjithatë, ai thotë se ka kërkuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës që të ndahet një fond rreth pesë milionë eurosh për ndihmë mësimdhënësve, për shkak të ngarkesës në punë gjatë pandemisë. Por, ai thotë se ende nuk ka ndonjë përgjigje për këtë çështje.

“Qasja e SBASHK-ut në këtë situatë, kërkesa prej 100 eurosh, kur kemi reduktim të buxhetit, kur kemi rënie të zhvillimit ekonomik të Kosovës, kur jemi duke u ballafaquar me pandeminë, mendojmë se nuk e ka vendin. Edhe unë jam anëtar i sindikatës dhe përkrahi mësimdhënësit, por mënyra selektive, shpërblimi i mësimdhënëse nuk është i drejtë. Edhe sindikata dhe mësimdhënësit duhet të kenë mirëkuptim për situatën financiare dhe gjendjen aktuale në të cilën jemi. Në kushte të rënduara kanë qenë edhe prindërit, kush i kompenson ata për punën që kanë bërë”, tha Likaj.

Por, në rast të infektimit të mësimdhënëseve apo nxënësve në shkollë, mësimi nga shkolla kalon në distancë. Kjo çështje është e rregulluar sipas protokollit të reagimit. Vendimi për kalimin e mësimit nga shkolla në distancë varet nga numri i përgjithshëm i nxënësve të infektuarve. Niveli është 200 me 1. Nëse në një shkollë ka 1,000 nxënës dhe infektohen me koronavirus më shumë se pesë nxënës, mësimi kalon në skenarin C apo mësimin nga distanca.