LAJMI I FUNDIT! Anulohet seanca gjyqësore ndaj deputetit që rrëzoi Qeverinë Hoti

Është anuluar seanca gjyqësore e cila ishte paraparë që të mbahej sot,  ku deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve të Kosovës, Etem Arifi, pritej që sërish të dilte para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Nga zyra e gjykatësit Vesel Ismajli është bërë e ditur se gjykatësi Naser Foniqi mungon pasi nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe si shkak i mungesës së tij nuk është arritur që të kompletohet trupi gjykues. Sipas tyre, paraprakisht dje është anuluar seanca gjyqësore dhe për këtë janë njoftuar edhe palët.

Gjykata e Apelit, kishte vendosur që Arifi të rigjykohet për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, për të cilën ishte liruar nga gjykata e shkallës së parë.

Etem Arifi ishte dënuar më 20 prill 2018, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me dy vjet burgim me kusht, pasi ai ishte shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit me subvencione.

Me dy vjet burgim me kusht, për të njëjtën vepër penale, ishte dënuar edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, Bajram Gashi,

Por, sipas aktgjykimit të shkallës së parë, dënimi ndaj tyre nuk do të ekzekutohet nëse ata nuk kryejnë vepra tjera penale brenda periudhës së verifikimit prej tre vjet pas plotfuqishmërisë së dënimit.

Etem Arifi, akuzohej edhe për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, mirëpo ai ishte liruar nga kjo akuzë, pasi sipas gjykatës së shkallës së parë, nuk është provuar se ai ka kryer këtë vepër penale.

Të akuzuarit ishin obliguar që Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) t’ia kompensojnë shumën prej 22.900 euro si dhe Zyrës për Komunitete në Kryeministri shumën prej 2.749 euro. Ndërsa, në qoftë se ata nuk i kompensojnë këto shuma në afat prej gjashtë muajsh, dënimi me kusht do të revokohet.

E këto dënime të shqiptuara nga shkalla e parë, pas ankesës së prokurorisë, ishin ashpërsuar nga ana e Gjykatës së Apelit, më 28 mars 2019, me ç’rast, Arifit i ishte ashpërsuar dënimi në burgim efektiv prej një vit e tre muaj.

Po ashtu, shkalla e dytë ia kishte ashpërsuar dënimin edhe të akuzuarit tjetër në këtë rast, Bajram Gashit, duke e gjykuar atë me një vit burgim efektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata e shkallës se dytë, i kishte obliguar të dy të akuzuarit, që t’ia kompensojnë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), në emër të dëmit të shkaktuar shumën prej 22,900 euro kurse Zyrës së Kryeministrit, shumën prej 2,749 euro.

Gjithashtu, Apeli e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores për sa i përket veprës penale të ushtrimit të ndikimit, për çka deputeti Arifi, ishte liruar nga akuzat nga shkalla e parë, duke e kthyer çështjen në rigjykim.