Lajmi i Fundit! Albulena Haxhiu formon Ekip Punues për analizimin e themelimit të Institutit që hulumton krimet e luftës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar me anë të një postimi në Facebook-un e saj se ka nënshkruar një vendim me anë të të cilit formohet një Ekip Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Sipas ministres në detyrë, “ky ekip do të bëj një analizë/studim të argumentuar për themelimin e mekanizmit për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë si dhe do të identifikoj praktikat e mira të krahasueshme dhe të pasqyroj elementet dhe specifikat që mund të përfshihen në rastin e Kosovës.”

Haxhiu nuk ka specifikuar nëse instituti në fjalë do të merrej specifikisht me krimet e luftës të kryera nga forcat serbe, apo me krimet e luftës të kryera nga të gjitha palët.

Një nismë të tillë e kishte pasur më herët edhe ish deputeti e ish ministri i PDK-së, Hajredin Kuqi.

Kujtojmë që Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë tashmë po trajtojnë krimet eventuale të luftës që mund të jenë kryer nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërkohë që kërkesa për drejtësi nuk rresht së përsërituri nga viktimat dhe familjarët e viktimave të krimeve të kryera nga forcat serbe.

Statusi i plotë nga Haxhiu:

Sot, nënshkrova Vendimin për formimin e Ekipit Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ky ekip do të bëj një analizë/studim të argumentuar për themelimin e mekanizmit për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë si dhe do të identifikoj praktikat e mira të krahasueshme dhe të pasqyroj elementet dhe specifikat që mund të përfshihen në rastin e Kosovës.