Mrika & Arianit Nikqi

Lajm i mirë për kosovarët e bllokuar në Antraktik

Sot është dita e 11’të ku babë e bijë nga Kosova, Mrika dhe Arianit Nikqi nga Peja, kanë mbetur të bllokuar në Kampin Bazë të majës Vinson, të lartë 4892 metra. Mirëpo, siç bën të ditur Shoqata e Bjeshkatarëve Gjeravica në Pejë, parashikimet e motit duken të mira dhe ka shpresë që ata të kthehen shumë shpejtë në Kosovë.

Moti ka filluar të përmirësohet dhe ata mund të kthehen së shpejti në Kosovë. E për përmirësimin e motit ka shkruar edhe Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste Gjeravica në Pejë, anëtarë të së cilës janë babë e bijë nga Peja.

“Moti ka filluar të përmirësohet, ekipi i logjistikës është gjithmonë në vëzhgim 24 orësh të mundësisë së re për t’u kthyer. Ekipi i Mrikës dhe Arianitit së bashku me alpinistë të ekipeve tjera, janë duke qëndruar të fortë dhe pozitiv. Të gjithë hapat e nevojshëm janë ndërmarrë në mënyrë që të mos rrezikohet askush në kamp. Parashikimet e motit duken shumë të mira për ditët në vijim dhe shpresojmë që shumë shpejtë të ju informojmë me lajme te mira”, kanë shkruar në Facebook.

Pasi kishin ngjitur majën më të lartë të kontinentit të shtatë, Antarktidës, më 16 dhjetor, Mrika dhe Arianiti është dashur të kthehen në Kosovë me datën 21, mirëpo si pasojë e mjegullës ata po qëndrojnë të bllokuar në një kamp në majën Vinson, 4892 metra e lartë, në motin e acartë dhe në të ftohtin ekstrem, në temperatura -40.