Lajçak: Ndryshimi i kufijve nënkupton luftë

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak i cili është edhe kryesues i OSBE-së ka deklaruar se mënyra e vetme për zgjidhje të çështjes së Kosovës është dialogu me Serbinë.

Lajçak ndër të tjerash ka përjashtuar edhe mundësinë e ndryshimit të kufijve, duke vlerësuar se çështja Kosovë-Serbi nuk është aq e vështirë që të mos zgjidhet.

“Rruga e vetme për zgjidhjen e problemit është vazhdimi i dialogut, kurse bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë çmos që të vijë deri te dialogu”, ka deklaruar ai.

Lajçak tha se aktualisht ka më pak besim tek partnerët në dialogut, por që nuk ka alternativë.

Tutje shefi i diplomacisë sllovake tha se ndryshimi i kufijve paraqet rrezik dhe se krijimi i shoqërisë multietnike, që është edhe ideja themelore e Bashkimit Evropian, nuk bëhet me ndryshim kufijsh.

“Kjo është Kutia e Pandorës dhe do të ishte një precedent. Nëse duam të zgjidhim problemet në të ardhmen, ndryshimi i kufijve mund të çojë në luftë. Duhet ta bëjmë të qartë se nuk duhet të mendojmë për ndryshimin e kufijve, por të punojmë për ndryshimin e shoqërisë, tha ai