Emisari

Lajçak e cilëson “Open Balkan” si konkurrencë të pashëndetshme për proceset evropiane

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, e ka cilësuar nismën e “Open Balkan” si konkurrencë të pashëndetshme për proceset e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai në Forumin Alpbachut ka thënë se në këtë rast, kjo iniciativë nuk është konkurrencë e shëndetshme, duke shtuar se ka shumë nisma të tjera të cilat kanë të njëjtin qëllim siç është edhe CEFTA.

Lajçak ka thënë se iniciativa të tilla duhet t’i afrojnë më shumë vendet partnere se sa t’i përçajnë e largojnë ato.

Ai ka shtuar se duhet shmangur situatat kur platformat e tilla i bëjnë këto vende garuese me njëra-tjetrën.

“Open Balkan” është nismë e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi deri tash e kanë refuzuar bashkimin në këtë nismë.

“Open Balkan”, nga nismëtarët e tij është proklamuar si një zonë “Mini-Schengen”.