Lajçak bisedon me Kurtin e Vuçiqin për hapat e ardhshëm në dialog

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për “hapat e ardhshëm” në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Takimet u zhvilluan në margjina të Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni.

“Kam zhvilluar dy takime të ndara, të rëndësishme dhe substanciale me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, shkroi Lajçak në Twitter.

Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në korrik, por pa shënuar ndonjë përparim në bisedime.

Një takim i ri midis tyre është paralajmëruar për këtë muaj, por data nuk është caktuar ende.