Me 66 vota pro, Kuvendi ka votuar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës të udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti. Qeveria e re është rezultat i koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Qeverinë e udhëhequr nga Kurti e kanë mbështetur 66 deputetë, ndërsa ka pasur 10 abstenime dhe asnjë kundër. Pak para votimit, partitë politike opozitare kanë lëshuar sallën e kuvendit.
Pas votimit të qeverisë së re të Kosovës dhe dhënies së betimit nga kryeministri Albin Kurti dhe kabineti qeveritar, Kurti tha se nga sot fillon një kapitull i ri për Kosovën.
“Me krijimin e qeverisë po jetësojmë edhe vullnetin e qytetarëve që e dhanë në zgjedhjet e 6 tetorit. Sot, nuk ka fituar Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, sot kanë fituar qytetarët e Kosovës. Unë zotohem se do të angazhohem maksimalisht për të mirën e gjithë qytetarëve. Sot fillon rruga jonë e punës së madhe dhe të palodhshme. Sot mbaron rruga e vjetër e klientelizmit dhe e pabarazisë. Nga sot ka një lidership te ri që do të kujdeset për shtetin. Sot fillon edhe një kapitull i ri për politiken e jashtme”, tha Kurti pas zgjedhjes së tij kryeministër.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i dha fjalën mandatarit për kryeministër, Albin Kurti, i cili në elaborimin e programit qeverisës, Kurti tha se qeveria e tij do të jetë një “qeveri e kursimit të parasë publike”. Kursimet tha ai, kanë nisur me reduktimin e ministrive nga 21 sa ishin në qeverinë paraprake në 15. Kurse nga 80 poste të zëvendësministrave, ai tha se qeveria e tij do të ketë rreth 33 sosh.
Po ashtu, theksoi Kurti, kursimet do të përfshijnë të gjitha fushat, duke nxitur zhvillimin ekonomik, shtimin e vendeve të reja të punës dhe ndaljen e emigrimit të qytetarëve të Kosovës për në vendet tjera evropiane.
“Në Kosovë sot ka më shumë treg të zi e të hirtë sesa treg të lirë. Ne këtë do ta ndryshojmë”, theksoi Kurti.
Ai tha se Administrata Tatimore dhe Dogana do të bashkohen për të lehtësuar mbledhjen e tatimeve.
Kurti premtoi se buxheti do të arrijë në 3 miliardë euro. Kurse sa i përket tregut të punës, premtoi mbrojtje të punëtorëve, duke synuar që punonjësit të punojnë nga 8 orë në ditë apo 40 orë në javë. Për të respektuar këto kritere, Kurti tha se do të rrisë numrin e inspektorëve të punës që do të garantojnë zbatimin e ligjit.
Kurti tha se do të angazhohet që qeveria nën drejtimin e tij të luftojë korrupsionin, të nisë procesin e vetting-ut të përgjithshëm si dhe u zotua që shërbimi ushtarak në Kosovë të jetë i detyrueshëm, për një kohëzgjatje prej 3 muajve.
Nga aspekti politik, Kurti tha se është i gatshëm të udhëheqë bisedimet me Serbinë, duke krijuar një ekip gjithëpërfshirës.
Kurti prezanton kabinetin qeveritar
Qeveria e re e Kosovës është propozuar që të ketë 15 ministri. Kryeministri, pritet t’i ketë edhe dy zëvendëskryeministra, kurse në përbërjen e saj, qeveria pritet të ketë edhe 33 zëvendësministra.
- Kryeministër i Kosovës – Albin Kurti (LVV)
- Zëvendëskryeministër i parë – Avdullah Hoti (LDK)
- Zëvendëskryeministër i dytë – Haki Abazi (LVV)
- Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporë – Glauk Konjufca (LVV)
- Ministër i Integrimit Evropian -Blerim Reka (LVV)
- Ministre e Drejtësisë – Albulena Haxhiu (LVV)
- Ministre e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit -Hykmete Bajrami (LDK)
- Ministër i Financave dhe Transfereve – Besnik Bislimi (LVV)
- Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike – Agim Veliu (LDK)
- Ministre e Ekonomisë, Punësimit Tregtisë, Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Investimeve Strategjike – Rozeta Hajdari (LVV)
- Ministër i Mbrojtjes – Anton Çuni (LDK)
- Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit- Lumir Abdixhiku (LDK)
- Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Besian Mustafa (LDK)
- Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitia (LVV)
- Ministre e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Vlora Dumoshi (LDK)
- Ministre e Administrimit të Pushteti Lokal – Emilia Rexhepi (Grupi 6+)
- Ministër për Komunitet dhe Kthim – Dalibor Jevtiq (Lista Serbe)
- Ministër për Zhvillim Rajonal – Ivan Millojeviq (Lista Serbe)







