Kush ia dha BBC videon e masakrës së Krushës?

Çështja e masakrës së Krushës ka qenë në qendër të vëmendjes në opinionin publik të ditëve të fundit, sa për konsum mediatik, por edhe për përfitime politike.

I pari, Kryeministri Rama, dhe më pas disa funksionarë të lartë të PS-së, kanë ngritur akuza të rënda karshi liderit të PD-së, Lulzim Basha, duke e implikuar atë si fajtor për fshehjen e disa pamjeve nga masakra e Krushës në kohën kur punonte për UNMIK-un në Kosovë.

Këto akuza, PS-ja i ka mbështetur edhe mbi disa deklarime nga kameramani amator, Milaim Bellanica, i cili në disa intervista ka pretenduar se filmimet e masakrës, ku shfaqen të vrarë më shumë se 250 vetë në Krushë të Madhe, ia ka dhënë Lulzim Bashës dhe më pas nuk ka ditur se çfarë është bërë me to.

Basha vetë nga ana tjetër në emisionin “Real Story” në “ News 24” mohoi çdo lloj lidhje me këtë histori dhe se nuk e ka takuar asnjëherë Bellanicën. Gjithashtu ai shtoi se nuk ka hetuar asnjëherë UÇK-në gjatë kohës kur ka qenë pjesë e UMNIK-ut. Por në lidhje me atë ngjarje dhe më pas çështjen që është hapur në vitin 2010 dhe rihapur ditët e fundit, janë arritur të dalin në dritë fakte dhe dëshmi të reja që lidhen me dijeninë e ish-deputetit të PS-së, Dashamir Peza.

Vetë Milaim Bellanica deklaroi pak ditë më parë në një intervistë për “Top Channel” se këto filmime ia kishte dhënë Lulzim Bashës, i cili atëherë punonte në UMNIK për zbardhjen e krimeve serbe dhe ky i fundit e ka zhdukur kasetën. Por, në pohimet e tij, kameramani amator, Belanica nuk e fsheh që e ka çuar kasetën në BBC, madje ai thotë se Lulzim Basha erdhi t’ia kërkonte këtë dokument të rrallë, vetëm pasi pamjet u shfaqën në gjigantin britanik, BBC. A e ka shitur kameramani amator kasetën e tij ekskluzivisht te BBC-ja, apo thjesht i ka dhënë televizionit britanik disa minuta duke e ruajtur origjinalin për vete?

I vetmi njeri që mund ta sqarojë këtë dilemë është ish-deputeti socialist, Dashamir Peza. Ky i fundit ato kohë ka qenë shoqëruesi shqiptar i ekipit të BBC-së. “Ai ra i pari në kontakt me Bellanicën dhe më kujtohet që e mori kasetën në një furrë buke”, ka treguar për “Lapsi.al”, korrespondenti i AP-së dhe fotografi Hektor Pustina. Nga arkivi i tij, Pustina ka nxjerrë dhe dy filmime të shkurtra të një televizioni norvegjez ku duket Milaim Bellanica, Dashamir Peza dhe gazetari i BBC-së duke marrë filmimet nga kaseta.

Kjo ngjarje ka ndodhur në 1 prill 1999. Pra, i vetmi njeri që mund të japë dëshminë e tij nëse ashtu sikurse ndodh rëndom, BBC ka blerë kasetën ekskluzive, apo ka marrë vetëm pamje prej saj, është ish-deputeti socialist Dashamir Peza. Nëse televizioni britanik e ka blerë origjinalin, çështja është e zgjidhur dhe Basha s’ka pasur mundësi të binte në kontakt me atë material filmik. Nëse BBC-ja ka marrë vetëm disa sekuenca, të cilat më pas i transmetoi, mbetet për t’u zbuluar se çfarë ka ndodhur me filmimet e plota që pretendon se ka realizuar kameramani amator, Milaim Bellanica.

Deri më tani, Dashamir Peza nuk ka bërë asnjë reagim publik për dijeninë që ka me këtë ngjarje, por edhe më atë se çfarë mund të ketë ndodhur me pamjet e plota që Bellanica ka regjistruar në marsin e 1999-ës në Krushë të Madhe.