Kush është Nasuf Bejta, kundërkandidat i Osmanit për president

Nasuf Bejta pritet të jetë kundërkandidat i Vjosa Osmanit në garën për president të Kosovës.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Bejta garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje me numër 64 dhe ishte përfaqësues i Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë.

Nasuf Bejta u lind më 03 nëntor 1960 në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë.

Shkollën fillore e kreu në Smrekonicë, ndërsa të mesmen në Gjimnazin “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri. Studimet universitare i kreu në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës. Është inxhinier i diplomuar me përvojë 32 vjeçare në arsim, dhe aktualisht punon si mësimdhënës në SH.M.T. “Lutfi Musiqi” në Vushtrri.

Është njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetar i kuvendit të nëndegës Smrekonicë, anëtar i kryesisë qendrore nga dega në Vushtrri në dy mandate, deri në vitin 2007 kur dha dorëheqje të parevokueshme për shkak të konfrontimeve dhe politikave që ai i cilësonte si të dëmshme për Kosovën. Ka qenë bashkëpunëtor civilo-ushtarak gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Si kandidat për dpeutet, ishte zotuar që do të mëbshteste politikat që avancojnë çështjet në fushën e arsimit, energjisë dhe telekomit, si dhe asaj të mirëqenies sociale.