Kush duhet të kërkojë falje për Dick Martin (e kush bërtet)?!

Nga Skënder Minxhozi

Në fakt është i njëjti njeri, edhe që bërtet “kapeni hajdutin”, edhe që është vetë i tillë. Sali Berisha e ka huq të vjetër faturimin tek të tjerët të fajeve e përgjegjësive të veta personale. Ndodhte një ngjarje e rëndë, dilte brenda dhjetë minutave e jepte listën e autorëve, njoftohej një gjëmë diku, me vrap drejtonte gishtin tek pala tjetër. Bllofet e Berishës janë tashmë gjah memesh e shakash që mund t’i gjesh pa u lodhur fare në rrjet.

E megjithatë ka një kufi. Të cilin Berisha në fakt po përpiqet ta shtyjë më tej me të gjitha forcat, megjithë moshën e thyer dhe 30 vitet karrierë gjatë të cilave duhet të kishte mësuar sadopak të mbante gojën apo të tërhiqej. Shikoni çfarë po bën orët e fundit: megjithëse të gjithë e dinë se cili është pozicioni delikat shqiptar në raport me akuzat e formuluara një dekadë më parë nga deputeti zviceran Dick Martin, ish-kryeministri Berisha ishte ndër të parët në Tiranë që vuri kujen për skandalin që sipas tij kishte konsumuar Edi Rama në Strasburg.

Ai që duhet të heshtte më gjatë, foli sërish i pari! Sulmoi Ramën i cili tha me 11 vjet vonesë (ky është në fakt skandali), se ajo asamble e nderuar kishte ngritur dorën për t’i thënë “po” një raporti monstruoz, që mund të shërbejë si një skenar për një serial horror në Netflix, por jo si një katalog provash e akuzash të provuara nga një institucion ndërkombëtar ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shtetit shqiptar.

Të dërguarit e Berishës në Strasburg nuk patën as mëdyshjen më të vogël 11 vjet më parë, që të shqyrtonin nëse duhej ta votonin ose jo atë raport. E votuan dhe u kthyen me ndërgjegjen e qetë në shtëpi. E votuan padyshim pasi kështu i kishin udhëzimet nga Tirana. Pra nga Sali Berisha asokohe kryeministër.

Dhe ky i fundit, teksa bërtet sot kundër fjalimit të Ramës që vendos në vend një padrejtësi të votuar nga partia e Berishës, kujdeset që të nxjerrë të gjitha aspektet skandaloze të sjelljes së Ramës, pa kërkuar edhe një moment të vetëm falje për sjelljen e vet 11 vite më parë.

Sali Berisha nuk ndjehet aspak fajtor që na ka vënë mbi kurriz me votën e përfaqësuesve të tij, Shtëpinë e Verdhë të Dick Martin, ku si në një film me ufo diku në një cep të Antarktidës, hiqeshin organet nga trupat e serbëve të sjellë nga matanë kufirit kosovar, për t’u dëguar me urgjencë s’dihet se në çfarë klinikash a spitalesh që i implantonin pastaj në barkun e ndonjë milioneri të sëmurë!

E vërteta e miratimit 11 vjet më parë të raportit ‘fantastiko-shkencor’ të Dick Martin, është e gjitha aty, e përkthyer në shifra që askush s’i lëviz dot më nga vendi. Është aty për turpin e atyre që ngritën dorën për ta votuar atë paçavure, ku një shtëpi në mes të maleve të Matit pa ujë drita e me banorë të këputur nga skamja, paska bërë transplant organesh, që është në fakt edhe sot sfida më e madhe e shkencës mjekësore, edhe në klinikat më të avancuara të botës.

Edi Rama është jo rrallë teatral dhe i tepruar në fjalimet e tij, të cilat njëkohësisht nuk bien aspak poshtë nga niveli i polemikës dhe elokuencës. Mund të kishte folur më shkurt? Patjetër! Mund të kishte qenë më pak i drejtpërdrejtë e i thartë, duke qenë se ndodhej në një institucion ndërkombëtar që përdor një kod gjuhe e sjelljeje më të përmbajtur? Edhe kjo nuk diskutohet!
Por Rama foli në Strasburg parimisht drejtë dhe në vendin e duhur, megjithëse me shumë vonesë. Ky është i vetmi gabim i tij.

Foli si një drejtues i lartë i një vendi të akuzuar publikisht dhe me shkrim në sytë e opinionit publik botëror, për krime monstruoze të kryera të territorin e shtetit të tij. Edhe sikur në mes të mos ishte fare në lojë fati i drejtuesve të lartë të Kosovës që sot mbahen në mënyrë të padrejtë në burgje edhe për shkak të raportit haluçinant të Dick Martin, kryeministri Rama kishte për detyrë të mbronte vendin e tij. Të bënte atë që nuk e bëri 11 vjet më parë hipokriti Sali Berisha që sot betohet nëpër studio se është kosovar dhe se nuk e ze gjumi natën për çeshtjen shqiptare!