Kush dhe pse e fitoi sot Nobelin për Paqe?

Sot u dha Nobeli për Paqe për sivjet, i cili iu nda dy personaliteteve që bëjnë fushatë kundër dhunës seksuale në luftë.

Kirurgu kongolez i gjinekologjisë, Denis Mukwege, dhe Nadia Murad, u bënë zëri më i fuqishëm i grave që i mbijetuan dhunës seksuale nga grupi i Shtetit Islamik, shkruan The New York Times.

Komiteti norvegjez i Nobelit tha se atyre iu dha ky çmim “për përpjekjet e tyre që t’i japin fund përdorimit të dhunës seksuale si armë e luftës apo konfliktit të armatosur”.

Mukwege kishte bërë fushatë të pandalshme për t’i vënë në pah vuajtjet e grave kongoleze, edhe pasi që i ishte bërë atentat pak vite më parë, përcjell Klan Kosova.

Ndërkaq Murat, e cila ishte mbajtur peng nga ISIS-i, ua ka ripërsëritur organizatave kudo në botë historinë e saj të vuajtjes, që të ndihmojë që Departamenti amerikan i Shtetit ta njohë gjenocidin e popullit të saj nga grupi terrorist.

Në një vit kur Lëvizja Me Too e ka kthyer vëmendjen e botës te të mbijetuarat e sulmeve seksuale dhe abuzimeve, vendimi i Komitetit të Nobelit ka sjellë në vëmendje kampanjën e vazhdueshme globale për ta përfunduar përdorimin e përdhunimeve masive si armë në konflikte globale.

Doktor Mukwege punon në një nga vendet më të traumatizuara në planet: në lindje të Republikës Demokratike të Kongos.

Në një spital të braktisur në kodra mbi Bukavu, ku për vite ka pasur pak rrymë e mjaftueshëm anestetikë, ai ka kryer operacione në një numër të panumërt grash që janë futur në spitalin e tij.

Ai është shfaqur si luftëtar i popullit kongolez dhe avokat global për barazi gjinore si dhe eliminim të përdhunimit në luftë, duke udhëtuar në pjesë të botës të rrënuara nga lufta në mënyrë që të ndihmojë në krijimin e programeve për të mbijetuarat.

“Nuk janë në pyetje gratë; është në pyetje humaniteti, dhe burrat duhet të marrin përgjegjësi që t’i japin fund”, kishte thënë njëherë ai në një intervistë.

Në anën tjetër, zonja Murad ishte kidnapuar bashkë me mijëra gra dhe vajza të tjera nga minoriteti Yazidi kur ISIS pushtoi vendlindjen e saj në Irak më 2014, dhe ishte përzgjedhur për përdhunim nga ky grup.

Përderisa shumica e grave që kishin ikur nga ISIS-i refuzonin t’iu diheshin emrat, Murad insistoi te reporterët që ajo donte të identifikohej dhe të fotografohej.

Ajo u nis në një kampanjë mbarëbotërore, duke folur para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shtëpisë së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Parlamentit Britanik, dhe një sërë trupash tjerë globalë.

Murat kishte thënë se ishte rraskapitur duke folur hapur, por e dinte që gra të tjera Yazidi po përdhunoheshin.

“Do t’i kthehem jetës sime kur gratë në mbajtje do t’iu kthehen jetëve të tyre, kur komuniteti im ka një vend , kur shoh njerëz llogaridhënës për krimet e tyre”, ka thënë Murad.

“Dua të jem e fundit vajzë në botë me një tregim si ky i imi”, shkruan mes rreshtash në librin e saj të titulluar Vajza e Fundit, fituesja e çmimit Vaclav Havel për të Drejtat e Njeriut.