Kusari: Sot ka filluar tentim-shkatërrimi i bordit të RTK-së nga ana e LVV-së

Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari ka deklaruar se sot ka filluar tentim-shkatërrimi i bordit të RTK-së nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo teksa tregoi se sot ka monitoruar intervistimin e kandidatëve për anëtar të bordit të RTK-së (plotësim i bordit), tha se procesi ka qenë jashtëzakonisht joprofesional nga ana e deputetëve të shumicës dhe jotransparent.

Sipas saj, nivel i thellë i regresit në transparencë dhe organizim krahasuar me procesin e parë për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së në nëntor të vitit të kaluar, i cili ishte organizuar në mënyrë fantastike.

Kusari shtoi se poentimi i kandidatëve është bërë në mënyrë jotransparente dhe absolutisht jomeritore.

“Absolutisht jomeritore. Po ashtu, intervistimi është bërë duke shkelur praktikën e britanikëve, meqë kandidatëve u janë bërë pyetje të ndryshme, metodë kjo që nuk lejon vlerësim objektiv dhe profesional dhe bëhet me agjendë të caktuar politike. Agjendë kjo që u dëshmua”, shkroi Kusari në Facebook.

Kusasri, ndër tjera theksoi se është e papranueshme që në njërën anë të bëhet ftesë për aplikime në rekrutime publike duke premtuar meritokraci dhe duke ftuar profesionistë që të aplikojnë e në anën tjetër të montohen procese në të cilat kandidatët nuk vlerësohen në baza meritore.

“Vetëm VV-ja ka aftësi që me e shkatërru punën e saj të mirë që e ka bo me RTK-në deri më tani. Ky zhvillim do të pasqyrohet në detaje në të gjitha vlerësimet ndërkombëtare.

Deputetet përgjegjës janë: Fitim Hajrizi (kryetar i komisionit ad hoc), Arbëreshë Kryeziu, Njazi Isaku, Ergjan Galushi, Besim Muzaqi”, shtoi tutje ajo.

“Vendim i drejtë i deputetes së AAK-së Albana Bytyqi dhe deputetit të LDK-së Agim Veliu që kanë paralajmëruar që nuk do ta nënshkruajnë procesverbalin. Procesi duhet të përsëritet nëse VV nuk dëshiron që ta shkatërrojë punën e mrekullueshme që ka bo deri më tani me RTK”, përfundoi Kusari.