Deputetja e LVV-së

Kusari–Lila: Borrelli e Lajçak kanë marrë anën e Serbisë

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se emisari special i dialogut Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe shefi për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, kanë marrë anën e Serbisë në dialog.

Kusari – Lila tha se Borrelli e Lajçaku kanë marrë anën e Serbisë duke u pozicionuar në mbrojtje të një propozimi të bërë nga pala serbe në tavolinën e dialogut.

“Me aq sa arritëm të kuptojmë në këto momente, kryeministrit i është prezantuar një dokument në gjuhen angleze dhe serbe dhe duket se ajo çfarë është prezantuar ose kërkuar nga Serbia është bërë pozicion i ndërmjetësit, që prezanton që ndërmjetësi nuk është më neutral por rolin e mbështetësit të njërës anë”, tha Kusari – Lila në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, ajo tha se deri tash Serbia vazhdimisht ka shkaktuar probleme e që sipas saj, për ato probleme është dashur të gjenden zgjidhje, teksa shtoi se nuk mund të jetë Serbia ajo që prezanton kërkesat që datojnë para një dekade.