Kurti uron Vitin e Ri hebraik: Qoftë një vit i ëmbël, për të gjithë!

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka uruar Vitin e Ri hebraik, Rosh Hashanah.

Kurti ka uruar këtë vit, duke përdorur urimin e hebraikëve që bëjnë në këtë festë, “Qoftë viti i ri një vit i ëmbël, për të gjithë!”, derisa ka shtuar: “Është e vërtet, pas një viti me kaq sfida, shëndetësore e ekonomike, për shkak të pandemisë, e gjithë bota ka nevojë për një vit më të ëmbël”.

Ndërkaq, Kurti në urimin e tij derisa ka folur për njohjen e Kosovës nga Izraeli ka theksuar se edhe se Kosova duket e vogël e varfër e që nuk mund t’i ofrojë shumë Izraelit dhe vendeve mike, por ai tha se “Kosova nuk ofron pak. Ajo ofron zemrën e vet të hapur, angazhim e përkushtim për përparim të miqësisë, në çdo sferë. Nga ekonomia deri te siguria, nga kultura deri te teknologjia”.

Shkrimi i plotë i Kurtit:

I ftuar nga kryerabinati i Shqipërisë, dje mora pjesë në shënimin festiv të Vitit të Ri hebraik, Rosh Hashanah. Në vijim, teksti i fjalës sime përshëndetëse:

I nderuar kryerabin i Rabinatit të Shqipërisë, z. Yoel Kaplan,

I nderuari Rabin i Tiranës, z. Yisroel Finman,

Të nderuar përfaqësues të komunitetit hebraik të Kosovës, zotërinj Demiri dhe Shkodra,

I nderuari akademik Gjinushi,

I nderuari profesor Sinani,

Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare të Kosovës,

Udhëheqës politikë, e të institucioneve,

Të nderuar diplomatë,

Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave,

Të nderuar organizatorë, të ftuar e pjesëmarrës të tjerë,

Më lejoni t’ju shpreh qysh në fillim urimet e mia, dhe të subjektit që unë përfaqësoj, të partisë më të madhe e më të votuar në Kosovë, Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për vitin e ri hebraik, Rosh Hashanah, të cilin ju do ta festoni sivjet në datën 18 shtator. Fatkeqësisht, unë nuk di hebraisht, mirëpo kam lexuar se një nga urimet që ju e bëni për këtë festë është “Qoftë viti i ri një vit i ëmbël, për të gjithë”. Është e vërtetë, pas një viti me kaq sfida, shëndetësore e ekonomike, për shkak të pandemisë, e gjithë bota ka nevojë për një vit më të ëmbël. Dhe ne, në këtë festë të hebrenjve, me gjithë zemër dëshirojmë mbarësi për bashkëkombasit tanë shqiptaro-hebrenj të Kosovës e të Shqipërisë, por edhe për gjithë hebrenjtë në botë, e sidomos për vendin e Izraelit, i cili së fundmi u shpreh për njohjen e Kosovës. Njohja shtetërore mes Izraelit e Kosovës do të jetë vetëm hapi i radhës në historinë e miqësisë dhe respektit mes popullit shqiptar dhe atij izraelit. Gjatë luftës së dytë botërore, shumëkush i kujton ndihmat që shqiptarët i dhanë hebrejve, por edhe gjatë e pas luftës në Kosovë, Izraeli dhe shumë hebrej nga vende të tjera kanë mirëpritur refugjatët tanë, kanë dërguar ndihma humanitare e ekonomike, dhe janë angazhuar politikisht për drejtësi. E shkuara na mëson të bashkëpunojmë për paqe e ta ruajmë njerëzinë përballë çdo dhune që na kërcënohet.

Rosh Hashanah, kam lexuar se është përkujtimi i krijimit të njerëzve të parë, Adamit dhe Evës. Kjo histori na përkujton besimin se, të gjithë ne jemi pjesë të së njëjtës familje njerëzore, me prejardhje të njëjtë. Racat e kombet, gjuhët e kulturat, nuk duhet të na bëjnë ta harrojmë këtë. Andaj le të lidhemi miqësisht me njëri-tjetrin. Sigurisht, Kosova duket e vogël dhe e varfër, e nuk mund t’i ofrojë shumë Izraelit dhe vendeve të tjera mike. Por, Kosova nuk ofron pak. Ajo ofron zemrën e vet të hapur, angazhim e përkushtim për përparim të miqësisë, në çdo sferë. Nga ekonomia deri te siguria, nga kultura deri te teknologjia.

I nderuar Krye Rabin i Shqipërisë, Kosova është edhe Atdheu i hebrenjve si Z. Demiri e Shkodra, të cilët flasin shqip si ne, por edhe i hebrenjve nga komunitete gjuhësore të tjera. Ata këtu kanë po aq të drejta sa unë dhe sa cilido tjetër. E ju jeni udhëheqësi i tyre shpirtëror, prandaj ndihuni në Kosovë si në vendin tuaj.

Edhe një herë, urime për Rosh Hashanah, qoftë vit i begatë e i bekuar e i ëmbël për gjithë hebrenjtë nëpër botë, e për shtetin e Izraelit.

Ju falemnderit.