Kurti s’i merr për bazë fjalët e SHBA-së: I ndjeri Holbrooke ishte penduar për “Republika Srpskan”

Problemet në Ballkan kanë thellësi dhe kjo ka të bëjë me historinë nga e cila duhet marrë mësime, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, , duke u përgjigjur në pyetjen se pse Perëndimi po shtyn para themelimin e Aosciacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Për këtë duhet të përgjigjën të tjerët”, i tha Kurti TRT World, përcjell Demokracia.com.

“Duhet ta marrim seriozisht të ndjerin diplomat amerikan, Richard Hollbrooke, i cili u pendua në vitin 2005 që para 10 viteve më 1995 lejuan këtë entitet në Bosnje-Hercegovinë të quhet Republikë Serbe”, deklaroi shefi i Qeverisë.

Përkundër deklarimeve të Kurtit, SHBA ka ofruar garancion se Asociacioni nuk do të jetë një “Republika Srpska” e dytë dhe se do të themelohet në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

I pari i Qeverisë ka vazhduar ta kundërshtojë emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke thënë se fillimisht vjen njohja, e më pas themelimi i Asociacionit.

“Zotëri Escobar është shumë aktiv dhe shumë i përfshirë, unë e mirëpres këtë. E kam takuar disa herë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të jemi të drejtë dhe çfarë unë po shtroj si kushte për çfarëdolloj asociacioni, nuk janë qëndrimet e mia arbitare, as dëshirat personale, është vullneti i popullit në Kosovë, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, janë ato që më bëjnë të them se së pari duhet të kemi njohjen reciproke dhe vetëm atëherë çfarëdolloj Asociacioni”, deklaroi ai.