Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për prestigjiozen britanike “Financial Times” të martën, deklaroi se Serbia duhet të qëndrojë në anën e perëndimit kundër Rusisë në mënyrë që t’i japë Kosovës sigurinë se ajo është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare kërkoi të ndryshojnë qasjen.
Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë qenë “shumë të buta” ndaj Serbisë, theksoi kreu i ekzekutivit kosovar, ndërsa shtoi se duhet t’i caktohet një afat kohor shtetit serb për miratimin e sanksioneve ndaj Rusisë, në mënyrë që t’i japë Kosovës sigurinë se shteti serb është i përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe integrimin evropian.
Uashingtoni dhe Brukseli “duhet të ndryshojnë qasjen e tyre dhe t’i japin një afat kohor Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë… dhe për të hequr dorë nga përpjekjet për t’u ulur në tre ose katër karrige”, deklaroi ndër të tjera kryeministri Kurti në një intervistë për “FT” të martën, duke e cilësuar vendosjen e sanksioneve “sinjal” se Serbia në thelb dëshiron paqe.
“Sapo Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë, atëherë do të ishte një moment kur ata do të tregonin se duan të integrohen në BE, dhe Serbia pa Rusinë nuk mund të kërcënojë sigurinë e kontinentit. Atëherë mund të besoja se ata në thelb duan paqe. Dhe SHBA-ja dhe BE-ja nuk do të përpiqeshin ta qetësonin”, potencoi kryeministri Kurti.
Ai e pranoi se “nganjëherë ka dallime” me aleatët euroamerikanë “kur bëhet fjalë për strategjitë, operimet dhe taktikat në terren në njërën anë, dhe kur bëhet fjalë për raportet me Serbinë”, por jo mbi vlerat dhe parimet. Gjithashtu, sipas tij, përpjekja “e butë” e perëndimit “ishte pasojë e të pasurit shpresa të larta se Serbia shpejt do të hidhet në kampin demokratik perëndimor”.







