Kryeministri

Kurti: Lufta e drejtë e UÇK-së dhe bombardimet e NATO-s e çliruan Kosovën

Në 25 vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe bombardimet e kanë çliruar Kosovën nga Serbia pushtuese.

Kurti ka shkruar në Facebook të dielën se bombardimet mbi ish-Jugosllavi e kishin pamundësuar realizimin e projektit gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve.

Sipas Kurtit, “pa aleatë e miq nuk do të çliroheshim asokohe”.

“Pa aleatë dhe miq nuk do të çliroheshim asokohe. Me aleatë dhe miq ecim përpara vazhdimisht. Gjatë këtyre 25 viteve, populli dhe shteti i Kosovës i kanë thelluar, zgjeruar dhe intensifikuar marrëdhëniet e mira dhe lidhjet e forta me popullin amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me popujt evropianë dhe Bashkimin Evropian. Kjo do të vijojë kështu edhe më tutje, sepse ne ndajmë të njëjtat vlera e interesa dhe sepse kemi vizione e synime të përbashkëta politike dhe gjeostrategjike”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Ai ka deklaruar se Kosova duhet të bëhet pjesë e NATO-s.

“Bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavi nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, e kanë bërë Kosovën një kapitull më vete dhe tejet të rëndësishëm në historinë e NATO-s. Andaj natyrshëm dhe pashmangshëm, Kosova duhet të bëhet edhe pjesëmarrëse aktive në historinë e NATO-s, duke u anëtarësuar në këtë aleancë. Kjo është aspiratë e Republikës së Kosovës që duhet realizuar: sa më shpejt, aq më mirë”, ka potencuar Kurti.