Kurti ka kohë edhe 6 ditë për të formuar Qeverinë e Re

Fituesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme, më 6 tetor 2020, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kohë edhe 6 ditë që të formoj Qeverinë e Re.

Kjo pasi që me afat kushtetues Kurti ka kohë deri më 4 shkurt.

E partia e vetme, me të cilën, tash e sa kohë po tenton të gjej një gjuhë të përbashkët për një marrëveshje që të bashkëqeverisin, nuk po i pranon kushtet e vendosura nga LVV.

Edhe pas takimit të mbrëmshëm, takimi VV-LDK, në prani të ambasadorëve të shteteve të QUINT-it, nuk rezultoi me një marrëveshje.

Përfaqësuesit nga shtete e QUIN-it thanë që “më shumë kemi dëgjuar sa që kemi folur”.

Të gjithë pohuan se ata ishin aty vetëm për t’u informuar për procesin e diskutimeve, e jo për të dhënë këshilla për bërjen e Qeverisë.

Ndërsa, lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar para mediave se mbesin te oferta e tyre që ia kanë bërë LVV-së.

“Mbesim të hapur në qoftë se LVV si parti e parë i pranon kërkesat tona. Jemi të gatshëm që në çdo kohë të lidhim marrëveshje”, tha Mustafa.

Kurse Albulena Haxhiu ka deklaruar se nuk ka marrëveshje, pasi LDK nuk po ka vullnet që të qeverisin bashkë.

“Do të doja që të thoja që marrëveshja është realizuar. Por nuk mund të them një gjë të tillë, pasi LDK po insiston të kërkesa e tyre e datës 8 janar”, tha ajo.

E kërkesa e LDK-së, që është bërë “mollë sherri” është pozita e Galuk Konjufcës, kryeparlamentarit.

Në ofertën e LDK-së kanë kërkuar që ta ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.

Por, Albulena Haxhiu ka thënë se ndërrimi i kryeparlamentarit pas zgjedhjes së Presidentit, si kandidat i propozuar LDK-së, do të thotë tallje me këtë institucion.