Kurti e shpall 28 Nëntorin ditë pushimi për institucionet publike

Të hënën të gjitha institucionet publike do të jenë në pushim.

Kryeministri Albin Kurti ka marrë vendim që 28 Nëntori të jetë ditë pushimi, ndonëse kjo festë nuk ndodhet në listën e festave zyrtare në Kosovë.

Ballkani.info ka siguruar letrën që kryeministri Kurti i ka dërguar ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ku i kërkon që në koordinim me Komisionin e Festave të njoftojë nëpunësit e administratës publike që dita e hënë do të jetë ditë pushimi.

Sipas vendimit të kryeministrit Albin Kurti i bie që vetëm institucionet publike do të jenë zyrtarisht pushim ditën e hënë, në ndërkohë që ato private do të vendosin vetë nëse do të jetë ditë pushimi ose jo.

Meqë Dita e Flamurit nuk është në listën e festave zyrtare në vend, kryeministri i shtetit vendos nëse do të jetë ditë pushimi ose jo.

Në ndërkohë në rastet kur festat bien në ditët e vikendit, atëherë pushimi shtyhet në ditën tjetër.