Kurti e quan të panevojshme Gjykatën Speciale

Kritika të shumta ka pasur Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ndaj faktorit ndërkombëtar sa i përket sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Kurti tha se përgjatë këtyre 20 vjetëve, nuk është vërejtur ndonjë gjë konkrete në lidhje me këtë, raporton KTV.

Në konferencën e organizuar nga Fondacioni “Geoffrey Nice” dhe Qendra për të Drejtat e Njeriut, Kryetari i Vetëvendosjes ka shtuar se Kosova nuk ka nevojë për Gjykatën Speciale, sepse kjo është bërë për të mbuluar dështimin e UNMIK-ut dhe EULEX-it.

Sipas tij, as institucionet vendore nuk kanë bërë ndonjë gjë, që të dëshmohet lufta e drejtë e UÇK-së.

“Në Kosovë nuk ka pasur tranzicion, pasi që këtu çdo gjë ka ndryshuar shumë shpejt, me një rregullore të UNMIKUT, është dashur të kalohet nga një sistem në tjetrin pa votuar askush, pa u pyetur askush. Sipas meje, administrata e ndërkombëtarëve në Kosovë ishte si një spital për pacientët e sëmurë dhe në këtë rast, qytetarët e Kosovës. Okupatori serb për ne ka qenë burg, sëmundje, ndërsa prania e ndërkombëtarëve për ne si një spital për shërim dhe tash Bashkimi Evropian, do të jetë për ne një shkolle. Dhe ju e dini se jo të gjithë nxënësit janë të njëjtë para profesorit apo jo? Veçse ne duhet të shkojmë në shkollë”, u shpreh Kurti.

Kurti ka thënë se do të dëshironte që 6 shtetet ballkanike të anëtarësoheshin në BE përnjëherë, ndonëse ka shtuar se është i vetëdijshëm se kjo gjë nuk do të bëhet shpejt.

“Ndihma e BE-së është e nevojshme për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por kjo s’duhet të shihet si kusht për zgjerim, ngase BE-ja është projekt serioz. Nuk është e drejtë mos-hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Arsyeja e hezitimit të Francës mund të jetë se disa prej shteteve që kanë hapur kapitujt, kanë ngecur në demokratizim, p.sh. Serbia e cila ka hapur kapitujt për anëtarësim, por nuk ia ka shtuar lirinë, demokracinë dhe mirëqenien e shtetaseve të saj”, tha më tej kreu i VV-së.

Konferenca në të cilën ka folur Kurti, është organizuar nga fondacioni i avokatit britanik Geofferey Nice, i cili ka përfaqësuar tashmë disa persona në Speciale.

“Raporti i Dick Martit, nuk ka asnjë fakt të vetëm mbi krimet e kryera nga shqiptarët dhe si i tillë nuk mund të konsiderohet hetim për ndonjë krim të caktuar. Por, ky raport është baza e gjykatë së themeluar së fundmi. Legjitimiteti i Gjykatës Speciale duhet të sfidohet deri në fund. Arsyeja se pse Serbia mundohet të krijojë versione të tilla për Kosovën është sepse për të tjerët mungon qasja në dokumente zyrtare”, tha Nice.

Ish-prokurori kryesor që ngriti aktakuzën ndaj Slobodan Millosheviqit, Geoffrey Nice dhe kompania e tij, e një tjetër amerikane, tashmë janë angazhuar me pagesë nga institucionet e Kosovës, që siç është thënë, “të ndihmojnë institucionet me aspektet ligjore sa u përket Dhomave të Specializuara për Kosovën”.