takimi

Kurti e Mustafa definojnë sot çështjen e Presidentit?

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet që të takohen sot gjatë ditës për të vazhduar bisedimet rreth një koalicion të mundshëm qeverisës.

Të dy liderët janë takuar edhe gjatë ditës së djeshme, ndërsa nuk kanë treguar detajet e takimit, përkundër se takimi mes tyre zgjati rreth dy orë.

Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë edhe mbledhjen e Kryesisë.

 “Nesër (e shtunë), më datë 14 dhjetor 2019, në orën 11:00, në Selinë e LDK-së, mbahet mbledhja e Kryesisë së LDK-së”, thuhet në njoftimin për media.

Nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu, e ka konfirmuar mbrëmë se në këtë mbledhje të kryesisë do të diskutohet për koalicionin me Vetëvendosjen, derisa nga VV nuk kanë konfirmuar ende mbledhjen e kryesisë së kësaj partie.

Por, Glauk Konjufca ka dhënë shenja pozitive për arritjen e marrëveshjes me LDK-në. Ai ka thënë se ky takim nuk do të mund të ndodhte nëse palët nuk po shkojnë drejt afrimit të marrëveshjes.

Gazeta Express ka raportuar më herët, duke u thirrur në burimet e veta, se ajo që po e mban peng arritjen e një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për krijimin e qeverisë së re të vendit janë kërkesat e LDK’së, të cilat për VV’në konsiderohen maksimaliste.

Partia e Albin Kurtit ndërkaq insiston që këto kërkesa janë maksimaliste, dhe se LDK’ja duhet të heqë dorë nga ky qëndrim.