Kurti e mirëpret vajzën e Madeleine Albright, flasin për programin “Kompakt” të MCC-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot e ka pritur në takim vajzën e ish-sekretare amerikane, Madeleine Albright, Alice.

Alice në Kosovë ka ardhur në pozitën si shefe ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Ajo bashkë me Kurtin folën për vazhdimin e zbatimit sa më shpejtë të Programit Kompakt në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në korrik të këtij viti.

Shefja Ekzekutive e MCC-së, Alice Albright u shpreh falënderuese për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes në Kuvend të Kosovës dhe dha gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të afërt drejt zbatimit sa më të shpejtë të saj. Ajo tha se Programi Kompakt është projekt afatgjatë për Kosovën, me prioritet edhe për vetë MCC-në.

Ndërsa, Kurti tha se marrëveshja me MCC-në për Programin Kompakt vjen në një moment kritik. Sipas tij, Kosova synon një ekonomi të orientuar kah eksporti dhe rritje të kapaciteteve të energjisë së ripërtritshme.

Ky takim u zhvillua në kuadër të vizitës së Albright në Kosovë. Vizita e saj vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes për Programin Kompakt ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), me vlerë 236.7 milionë dollarë amerikan. Ai përbën investimin më të madh dhe më inovativ në sektorin e energjisë në Kosovë deri më sot dhe do të kontribuojë në sigurinë energjetike të vendit.

Programi Kompakt përfshin tri projekte:

Rezerva dhe arbitrazh të energjisë prej 340 MWh,Zhvillimin e fuqisë punëtore, me theks të veçantë në përfshirjen e grave në sektor të energjisë, si dheProjektin e Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
Investimet e Programit Kompakt do të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës dhe shënojnë një nga bashkëpunimet më të rëndësishme zhvillimore në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.