Kryeministri

Kurti: Çdo vajzë e grua ka të drejtë të jetojë pa dhunë

Institucionet e Kosovës po punojnë në përmirësimin e kornizës ligjore për gratë dhe vajzat që janë cak i dhunës dhe në krijimin e një mjedisi të sigurt për të mbijetuarat e dhunës.

Kështu u tha sot në lansimin e “Programit kombëtar për trajtimin e kryerësve të dhunës ndaj grave”, si pjesë e kampanjës së 16 Ditë Aktivizëm kundër dhunës.

Kryeministri Albin Kurti tha se po punojnë në përmirësimin e kornizës ligjore për gratë dhe vajzat që janë cak i dhunës. Ai shtoi se krahas rehabilitimit psiko-social synimi i qeverisë është krijimi i një mjedisi të sigurt për të mbijetuarat e dhunës.

Kurti tha se çdo vajzë e grua ka të drejtë të jetojë pa dhunë dhe pa u ndjerë e kërcënuar, derisa shtoi se kjo hyn në angazhimin e qeverisë dhe se këtë qëllim e kanë edhe në kushtetutë dhe ligje.

“Çdo vajzë e grua ka të drejtë të jetojë pa dhunë, pa frikë për dhunën, pa u kërcënuar, dhe pa u ndjerë e kërcënuar. Çdo vajzë dhe grua ka të drejtë të jetojë e lirë, kjo është bindja ime e thellë dhe ky është angazhimi im… Këtë synim e kemi në Kushtetutën tonë, në ligje, nëpër akte e nene të ndryshme…Programi i parë kombëtar për trajtimin e kryerësit e dhunës ndaj grave do të ofroj një qasje të gjithanshme për të ndihmuar në parandalimin e përsëritjes së dhunës si në familje, po ashtu edhe në shoqëri. Krahas rehabilitimit psiko-social për ata që kanë kryer dhunë ndaj grave dhe vajzave, synimi përfundimtar është krijimi i një mjedisi të sigurt për të mbijetuarat, ofrimi i mbështetjes së sigurisë së nevojshme për të ecur përpara…Kemi rritur financimin shërbimeve të strehimoreve për mbi 100 për qind për vitin 2023…Na duhet angazhim i përbashkët institucional e shoqëror, këtë tani e lehtëson udhëzuesi për funksionalizmin e mekanizmave lokal kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore…Edhe vetë si kryeministër e ri konfirmoj angazhimin tim të pakushtëzuar për këtë”, tha Kurti.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se programi i lansuar sot ka për qëllim të ndryshojë sjelljet e dhunshme të kryerësve të dhunës ndaj grave dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për të mbijetuarat.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, për herë të parë është angazhuar në vazhdimësi për adresimin e dhunës në familjen dhe asaj me bazë gjinore, sepse normat secila e patriarkale dhe pabarazitë në shoqëri e gjini na kanë detyruar që si institucione të marrim përsipër përgjegjësitë që kemi… Dhuna ndaj grave nuk është çështje private, dhe nuk duhet të konsiderohet asnjëherë si e tillë. Dhuna ndaj grave është çështje e të drejtave të njeriut, është çështje sociale, shëndetësore, politike po ashtu është edhe çështje ekonomike. Prandaj si institucione do të vazhdojmë punë tonë në mënyrë që të sigurojmë që çdo grua dhe vajzë të ketë jetë të dinjitetshme dhe të jetojë pa dhunë…Deri më tani në kurrikulën janë trajnuar 40 profesionistë nga fushat e shërbimeve sociale, forensike psikiatrike, shërbimeve korrektuese, sprovuese, kujdesit shëndetësor…Programi ka për qëllim që të ndryshojë sjelljet e dhunshme të kryerëseve nëpërmjet një rrugëtimi transformues që çon drejt adoptimit të sjelljeve jo të dhunshme dhe të respektueshme në marrëdhëniet ndër personale”, theksoi Haxhiu.

Shefi i Zyrës në Këshillin e Evropës në Prishtinë, Frank Power potencoi se Konventa e Stambollit për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave përcakton parimet kryesore që shtetet duhet të ndjekin në luftimin e dhunës ndaj grave.

“Siç mendoj unë, të gjithë e dinë mirë se Konventa për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e njohur edhe si Konventa e Stambollit, njihet gjerësisht si standardi ndërkombëtar i artë në këtë fushë, duke përcaktuar parimet kryesore që shtetet duhet të ndjekin nëse ata duan seriozisht dhe efektivisht të trajtojnë sfidën e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Siç edhe jemi të gjithë të vetëdijshëm se Konventa e Stambollit ka efekt të drejtpërdrejtë në ligjin vendor në Kosovë me inkorporim në Kushtetutë. Konventa është, natyrisht, një instrument shumë gjithëpërfshirës që mbulon një gamë të gjerë detyrimesh në bazë të katër shtyllave të saj kryesore të politikave të mbrojtjes, ndjekjes penale dhe integrimit. Por kur bëhet fjalë në mënyrë specifike për një tjetër faktor, autorët, Neni 16 i Konventës thotë se palët do të marrin masat e nevojshme legjislative ose masa të tjera për të ngritur ose mbështetur programe që synojnë t’u mësojnë autorëve të dhunës në familje të përshtaten me sjelljen jo të dhunshme në marrëdhëniet ndërpersonale”, tha Power.

Prezantimin e “Programit kombëtar për trajtimin e kryerësve të dhunës ndaj grave” e bëri konsulentja vendore e Këshillit të Evropës, Adelina Badivuku Toplica. Ajo tha se ky program është i ndërtuar mbi parimet e ndërhyrjes strategjike dhe rehabilitimit psiko-social për ata që kanë ushtruar dhunë ndaj grave.

“Qëllimi i programit për kryerësit e dhunës, gjithsesi që është iniciativë e ndërtuar mbi parimet e ndërlidhjes strategjike dhe rehabilitim psikosocial për ata që kanë ushtruar dhunë. Ky program synon të transformojë sjelljet dhunshme të kryerësve nëpërmjet një rrugëtimi trasnformues që çon drejt adoptimit të sjelljeve jo të dhunshme dhe të respektit ndaj partnerëve të tyre dhe anëtarëve të familjes…33:20 Programi niset nga fakti se dhuna ndaj grave nuk duhet konsiderohet vetëm si një sërë incidentesh të izoluara, por si një pjesë e një sistemi me të gjerë, që është i ndërthurur me besimet dhe strukturat e shoqërisë. Qasja e ndërhyrjes së këtij programi synon të ndikojë jo vetëm në sjelljen individuale, por edhe në transformimin e besimeve dhe kushteve shoqërore që kontribuojnë në ekzistencën dhe vazhdimin e dhunës ndaj grave”, tha ajo.

Ndryshe, sot, janë ndarë 15 certifikata për gjeneratën e parë të trajnerëve të programit për kryerësit e dhunës ndaj grave, të cilët Ministria e Drejtësisë i ka trajnuar gjatë muajit tetor. Këta të fundit janë pjesë e qendrave të Shërbimeve Korrektuese, Sprovuese, Forenzikës Psikiatrike dhe sektorit jo qeveritar nga fushat e ndryshme.

Që nga janari e deri këtë muaj, në Kosovë janë raportuar rreth 2.000 raste të dhunës në familje. Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, 90 për qind e viktimave të kësaj dhune kanë qenë gratë dhe vajzat.

Në Kosovë, më 27 nëntor ka nisur fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me baza gjinore”. Në aktivitetin e parë të quajtur “Ato janë ne”, Haxhiu tha se dhuna në familje është shndërruar në fenomen në Kosovë.