Kurti bisedon me Gjukanoviqin: ​Jam për një dialog të përgatitur mirë e me parime dhe jo për një zgjidhje të shpejtë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ka biseduar me presidenti malazez, Milo Gjukanoviq. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Gjukanoviq ka premtuar fqinjësi të sinqertë dhe ka përkrahur Kosovën në dialog me Serbinë.

“Në një bisedë miqësore, kryeministri Kurti e njoftoi presidentin Đukanović për luftën kundër pandemisë, duke theksuar rënien e infektimeve të reja dhe numrin e vogël të viktimave. Ai tregoi për dy pako të Qeverisë së Kosovës për ta menaxhuar situatën e krijuar ekonomike, pakon emergjente fiskale, për ta menaxhuar situatën e krijuar dhe pakon e dytë për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike prej efekteve të pandemisë”, njofton Zyra e Kryeministrit.

Sipas njoftimit të ZKM’së, Gjukanoviq i ka treguar Kurtit për mbylljen zyrtare të pandemisë në Malin e Zi dhe planet e këtij shteti për rimëkëmbjen ekonomike.

“Nga ana e tij, presidenti Đukanović e përgëzoi kryeministrin në detyrë Kurti për punën e mirë në të dyja rrafshet dhe e njoftoi atë se Mali i Zi nuk ka asnjë të infektuar më me COVID-19 dhe zyrtarisht e ka përfunduar pandeminë, theksohet në njoftim, ku Gjukanoviq citohet të ketë thënë “E gjithë puna e Qeverisë është e koncentruar në rihapjen e hotelierisë dhe funksionalizimin e turizmit, për t’i sanuar sa më shpejtë vështirësitë e krijuara ekonomike”.

Kurti e Gjukanoviq kanë folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi.
“Temë e veçantë e bisedës ishte edhe dialogu me Serbinë. Me këtë rast kryeministri në detyrë Kurti tha se është për një dialog të përgatitur mirë e me parime dhe jo për një zgjidhje të shpejtë, nën udhëheqjen e BE-së dhe ShBA-ve, të cilat nuk mund të zëvendësohen apo ta përjashtojnë njëra tjetrën.

Presidenti Đukanović theksoi se procesi i dialogut me Serbinë është një nga faktorët kyç për stabilitetin e rajonit dhe integrimin e tij në BE. Ai u pajtua se nuk ka zëvendësim për BE-në dhe ShBA-të në rajon dhe e siguroi kryeministrin në detyrë Kurti se Mali i Zi do të jetë gjithmonë fqinj i sinqertë dhe do të bashkëpunojë ngushtë me shtetin e Kosovës”, përfundon njoftimi i ZKM’së.