Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, edhe një herë dëshmoi këmbënguljen e shtetit kosovar në përballje me deklaratat e përfaqësuesit serb në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, edhe sot si herë të tjera, u mundua t’ia japë Serbisë rolin e viktimës përballë përfaqësuesve të 15-të shteteve të Këshillit të Sigurimit.

E deklaratat e Ministrit Daçiq u kundërshtuan nga një sërë argumentesh nga Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Përderisa Daçiq paraqiti raporte se sa ka humbur shteti i Serbisë njerëz që nga Lufta e Parë Botërore, ai nuk u kursye të fliste edhe për ‘shkeljet’ që institucionet kosovare po i bëjnë kundrejt marrëveshjev me Serbinë.

Kundër këtyre deklaratave u shpreh Vlora Çitaku e cila theksoi se luftrat për të cilat Daçiq po flet, shteti i tij ishte vet protagonist i tyre.

“Për humbjet në Luftra, për të cilat po flitet këtu, disa nga këto shtete ishin vetë protagonistë të këtyre luftrave, përderisa shteti im ishte fushëbetejë”, i është përgjigjur Çitaku, shkruan Ballkani.info.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka folur gjithashtu rreth progesit të dialogut, ku është shprehur i shqetësuar për zgjedhjen e Kryenegociatorit, Fatmir Limaj, nga institucionet në Prishtinë ndërsa ka vazhduar të akuzojë Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, se kinse vizita e tij në Ujman ishte bërë për qëllime provokative.

Çitaku reagoi duke thënë se kryesuesit e negociatave i zgjedh vet shteti i Kosovës dhe jo shtetet fqinje, ndërsa vizitën e Presidentit në Ujman e cilësoi aspak provokative përderisa ishte brenda territorit të Kosovës.

“Kosova ka qenë viktimë e luftës së fundit që njeh Evropa, e kjo luftë la mbas shumë gra të dhunuara, persona të zhdukur, ndërsa unë bashkë me një milion kosovarë u detyruam të shpërngulemi nga vendi ynë. Kryesuesit e negociatave në dialog, i zgjedhin institucionet e vendit tim, Kosovës, dhe jo shtetet e tjera. Mendoj që më provokative ishte lavda e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, drejtuar emrit të Millosheviqit, gjatë një vizite në Kosovë” u kundër përgjigj Çitaku, shkruan Ballkani.info.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Ambasadorja e Kosovës përballet me intrigat dhe deklaratat denigruese të përfaqësuesit serb në Këshillin e Sigurimit, dhe si shumë herë të tjera, Çitaku edhe sot pati rolin e një përfaqësuese të denjë të Kosovës, përballë fuqive të mëdha botërore.

Përkrahja e shteteve perëndimore nuk mungoi, ku në fjalimin e përfaqësuesit të SHBA, u ofrua mbështetje e proceseve të cilat ka kaluar Kosova në këto vite, gjithashtu u përkrah themelimi i Ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL. Mbështetje të procesit diplomatik të Kosovës treguan edhe Britania e Madhe dhe shtetet e tjera prezente.

Përfaqësimi i Vlora Çitakut, u përkrah edhe nga mediat në Kosovë, analistë të shumtë dhe qytetarë. /Ballkani.info/

Ju sjellim disa nga deklaratat e fuqishme të Çitakut sot në Këshillin e Sigurimit:

– “Kosova nuk duhet të jetë një vrimë e zezë mes kontinentit evropian. Kemi dëshirë të ndihmojmë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin dhe Evropën për të qenë më të sigurt. Sa i përket policisë, OKB duhet të mburret se vetë kanë ndihmuar të themelojnë Policinë e Kosovës dhe Kosova ka ndihmuar në parandalimin e komploteve terroriste”.

– “Dialogu paraqet të vetmin shteg përpara për të dyja vendet, por është e rëndësishme që të pajtohemi se çfarë është ky dialog. Dialogu është për paqe, pajtim dhe njohje reciproke, dhe si i tillë do të ketë kuptim dhe do të prodhojë rezultate vetëm nëse ne vendosim të flasim sinqerisht në lidhje me proceset në Bruksel. Fqinjët tanë duhet të na trajtojnë si qenie të barabarta dhe duke njohur të gjitha të drejtat tona”.

– “Themelimin e ushtrisë nuk do të dialogohet me Serbinë dhe kjo çështje do të përfundojë së shpejti. Themelimi i ushtrisë nuk paraqet shkelje të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së”.

– “Para jo shumë kohës një foshnje gati kishte vdekur, sepse zyrtari i aviacionit nuk i dha leje të ateroi një aeroplani të zbriste në Beograd. Ju lus një moment të mendoni për këtë, zyrtarët ajrorë të Serbisë nuk i dhanë leje për shfrytëzim ajror një aeroplani, vetëm pse shkonte drejt Prishtinës, edhe pse fjala ishte për shpëtim të jetës së një foshnje. Kjo sjellje nuk tolerohet”.