Kryeziu thotë se PDK-së i takon të distancohet nga dhuna që ushtroi sot ndaj shoqërisë civile

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka folur në Express Intervistën e KTV-së për eksesin që pjesëtarët e shoqërisë civile kanë pasur para selisë së Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë aksionit për kundërshtimin e Projektligjin për financimin e partive politike.

Duke folur për ecurinë e marshit të sotëm, Kryeziu ka thënë se e filluan te AAK-ja, për faktin se kjo parti udhëheq me qeverinë. Edhe për shkak të gjeografisë së qytetit, ata u ndalën te Partia Demokratike e Kosovës, ku hasën në kundërshtim të disa personave para selisë së kësaj partie.

“Ne filluam një marsh protestues pas disa takimeve që kemi pasur me subjektet politike dhe me kryeministrin. Sot provuam të ushtrojmë presionin qytetar për tërheqjen këtij ligji i cili ka degraduar dhe nuk premton transparencë nga partitë politike. Kemi nisur nga AAK-ja, sipas pozicioneve që i kishin partitë politike në pushtet. Përfunduam te PDK-ja e cila na pengoi që të kryejmë aksionin tonë”, ka thënë Kryeziu. “Na nxorën jashtë nga hapësira që kujtoj se është hapësirë publike, frikësuan aktivistët, dhe në mënyrë të dhunshme na shkyenë gjithë ato pankarta”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ka ndërmjetësuar dhe arrita që të pengojmë një përplasje më të madhe. Kryeziu ka thënë se të gjitha partitë, përfshirë PDK-në, kanë qenë të njoftuar me aksionin e shoqërisë civile.

“Ne i kemi njoftuar të gjitha partitë, kemi folur me shefin e Grupit Parlamentar, si me deputetë të tjerë. Protesta jonë ishte simbolike, ishte e qetë e paqësore, nuk kishte ndonjë qëllim tjetër pos mesazheve që donim t’ia japim partive”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Partia Demokratike duhet të dalë me deklaratë konkrete se “a është ky qëndrim i saj zyrtar, apo i atyre njerëzve që nuk e dimë se çfarë ishin, pjesëtarë të sigurimit a militantë”.

i takon që të dalë në mbrojtje të të drejtës së protestës, të drejtës për organizim qytetar”, ka thënë Kryeziu.

Siç njofton KSP, Partia Demokratike e Kosovës me anë të një komunikate për media sqaron për aksionin e disa aktivistëve të shoqërisë civile brenda oborrit të kësaj partie. Sipas kësaj agjencie, PDK-ja shpreh keqardhje për incidentin e ndodhur sot në oborrin e selisë së saj.

Në komunikatë thuhet se pjesëtarët e sigurimit të PDK-së kanë reaguar në bazë të detyrës që kanë, pasi që paraprakisht nuk kanë qenë të informuar për një aktivitet të tillë, kështu duke krijuar keqkuptimin që turma e mbledhur para selisë kishte qëllime tjera e jo zhvillimin e një aktiviteti nga shoqëria civile.

“Partia Demokratike e Kosovës dëshiron të theksojë së ky është një rast i izoluar dhe nuk përkon më frymën dhe vlerat e saj. Partia Demokratike e Kosovës beson dhe promovon të drejtën thelbësore të demokracisë, atë të protestës dhe reagimit qytetar”, thuhet në një komunikatë të PDK-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi i ka takuar javën e kaluar përfaqësuesit e shoqërisë civile të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me projektligjin për financimin e partive politike.

“Sigurisht që shqetësimet e tyre do të merren parasysh dhe do të trajtohen me seriozitetin më të lartë, nga ana e Kuvendit të Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës sikur në të kaluarën, është e hapur për bashkëpunim me të gjitha organizatat e shoqërisë civile dhe i sheh ato si partnere në rrugëtimin e përbashkët të shtetndërtimit”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.