Kryetari i Këshillit të Prindërve flet për protestën e mësimdhënësve

Këshilli i Prindërve i Kosovës vlerëson se vonesa në miratimin e Ligjit të Pagave dhe mos zhvillimi i dialogut social Qeveri-Sindikata është duke nxitur reagimin edhe të të punësuarve në sektorin e arsimit, qoftë përmes protestave e grevave, të drejta këto që u janë garantuar me ligj.

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi ka thënë  për Demokracia.com se ky këshill nuk ka të drejtë ligjore as ta mbështesë dhe as ta kundërshtojë protestën e mësimdhënësve.

“Konsiderojmë se është  rezultat  u një proteste që ka filluar muaj më parë më kërkesë miratimin e ligjit të pagave dhe zhvillimin e dialogut social mes palëve.  SBASHK ka zhvilluar një të drejtë ligjore për të mbajtur protestë. Por ndërsa Qeveria nuk lëviz në miratimin e Ligjit të Pagave, sipas premtimeve të dhëna nga vetë ajo, e njëkohësisht nuk interesohet për dialogun social dhe nga ana tjetër SBASHK-u ka argumente valide për nivelin e pamjaftueshëm të pagave në arsim dhe të drejtën ligjore për të marrë masa të tilla veprimi,  ne si prindër, bashkë me fëmijët tanë, jemi pala e vetme e dëmtuar në këtë proces dhe pa mjete ligjore për të mbrojtur të drejtat tona kushtetuese. Ne vazhdojmë ta paguajmë faturën e mos veprimeve, nganjëherë edhe inateve, në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësve, në këtë rast mësimdhënësve në sektorin e arsimit publik”, tha ai.

Demi tha se është për keqardhje se si arsimi vazhdon të trajtohet nga qeverisja në Kosovë, duke besuar fort se një nga arsyet kryesore të emigrimit të qytetarëve nga Kosova është mosbesimi në të ardhmen e fëmijëve të tyre.

“Andaj jo rastësisht për 12 vjet i kemi rreth 100 mijë nxënës më pak në sistemin edukativo-arsimor parauniversitar në Kosovë. Sidoqoftë rezultati i këtij procesi, dhe kushdo qoftë “fituesi” në cak, sigurt është që sistemi publik edukativo-arsimor në Kosovë është pandalshëm në degradim.”, tha ai.