Kryeqyteti ndez dritat e Sahat Kullës, Rama përuron hapjen

Kryeqyteti ndez sot dritat e Sahat Kullës, duke ndriçuar këtë monument të trashëgimisë kulturore në Prishtinë.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, bashkë me ekipin e tij, dhe Niels Knudsen, Zëvendës Përfaqësues i Përhershëm, UNDP Kosovë do ta vizitojnë objektin me ç’rast Kryetari Rama dhe Knudsen do të mbajnë një fjalë rasti.

Ndryshe Sahat Kulla ruan shumë vlera të trashëgimisë dhe histori shumë dekadash, por për një kohë të gjatë i është dashur funksionalizimi për t’u shndërruar kështu në një nga pikat qendrore turistike të pjesës së vjetër të Kryeqytetit.

Që disa muaj me radhë, Sahat Kulla i është nënshtruar disa ndërhyrjeve të jashtme dhe të brendshme për të parë më në fund rilindjen e saj.

Restaurimi i këtij objekti historik është realizuar në bashkëpunim me Unionin Evropian dhe UNDP Kosovë e tashmë është gati të presë të gjithë vizitorët e interesuar pasi të gjitha punimet kanë përfunduar.