Krofne të mbushura me arra

Një desert ideal mëngjesi.

Përbërësit:

– 200 ml qumësht i vakët
– 2 vezë
– 450 gr miell
– 15 gr tharm buke
– 1 lugëz sheqer
– vaj
– 1 lëvore limoni
– kripë
– vaj per skuqje
Për mbushjen:
– 100 gr arra të bluara
– 1 grusht rrush i thatë/stafidhe
– sheqer pluhur

Përgatitja:

Tharmin e bukës trazojeni në pak qumësht, shtoni sheqerin, vezët, pak vaj, lëvoren e grirë në rende të një limoni, pak miell, kripë. Përziejini mirë këto të gjitha e më pas shtoni gradualisht pjesën e mbetur të miellit duke krijuar një topth të butë brumi.

Brumin lëreni të dyfishojë në masë. Pas kësaj, ngjisheni edhe një herë e lëreni të pushojë sërish. Pastaj hapeni në një petë me trashësi prej 0.5 cm e nxirrini krofnet sipas formave të dëshiruara.

Tek arrat e bluara shtoni pak sheqer, rrush të thatë dhe pak qumësht. Trazojini mirë. Me këtë mbushje, mbusheni njërën krofne e mbulojeni me petën e krofnes tjetër. Mbyllini mirë krofnet,që të mos u rrjedh mbushja.

Renditini në një enë më të thellë dhe mbulojini me qese.

Vajin ngroheni në një tenxhere të thellë dhe aty skuqini krofnet e përgatitura derisa të marrin një ngjyrë të mirë. Pas skuqjes vendosini në letër kuzhine, ndërsa para servimit, spërkatini me sheqer pluhur. Ju bëfshin mirë!/Me Shije/