Krizë për ujë në Gjilan

Nga 30 metra, sa ishte niveli i ujit në Pendën e Përlepnicës së Gjilanit, prej nga furnizohen me ujë qytetarët, tani këtu niveli ka rënë në 16 metra.

Kjo shkaku i thatësisë së madhe nga mungesa e reshjeve atmosferike muajve të fundit, që janë burim i furnizimit me ujë të kësaj pende, raporton KTV.

Një situatë e tillë ka bërë që ditëve të fundit qytetarët të përballen me reduktime të mëdha të ujit.

Në këtë nivel të ulët të ujit, kjo pendë, sipas drejtuesve të kompanisë “Hidromorava”, nuk ka qenë që prej para 63 vjetësh.

Sipas kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Muhamed Suliqi, nëse vazhdon moti i nxehtë dhe nuk ka të reshura, rreziku është që niveli i ujit të bie edhe më poshtë.

Suliqi ka thënë se nëse uji bie nën nivelin 7 metra, nuk mund të përdoret për shkak të papastërtisë.

Komuna tashmë ka shpallur gjendje emergjente për shfrytëzimin e ujit të pijshëm.

Sipas zyrtarëve të kësaj komune, tashmë është formuar një task forcë dhe inspektorati është 24 orë në terren për t’i parandaluar keqpërdorimet e mundshme.

Zëdhënësi Ibrahim Ademi ka thënë se ekipet e përbashkëta do të marrin veprime konkrete dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë për ata që nuk e respektojnë këtë vendim dhe se gjobat mandatore janë të larta deri në 300 euro.

Për të dalë nga kjo situatë, komuna do të kërkojë ndihmë nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, me të cilin do të zhvillojë një takim brenda pak ditësh.