Krimet

Krimet kibernetike në rritje në Kosovë, policia tregon sa persona ka arrestuar

Rastet e sulmeve kibernetike kanë shënuar rritje në Kosovë. Vetëm në tri vitet e fundit janë raportuar 116 raste të tilla. Rastet kanë të bëjnë me hyrje në sisteme kompjuterike, keqpërdorim të kartelave bankare dhe të kreditit, si dhe pornografi e fëmijëve përmes internetit. Për gjithë këto vepra, Policia i ka vënë pas prangave 41 persona, ndërsa është ngritur kallëzim penal ndaj 74 të tjerëve, shkruan Gazeta Express.

Kishin vjedhur dhe shpërndarë identitete të vjedhura e debit kartela për vite të tëra. Por, muaji shkurt doli të jetë fatkeq për dy hakerët kosovarë, të cilët po kërkoheshin edhe nga SHBA’ja.

Liridon Musliu dhe Besart Hoxha, janë në mesin e 36 personave ndaj të cilëve Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur akuza për përfshirje në skema të mashtrimeve kibernetike dhe vjedhjeje përmes identitetit.

Ata u vunë pas prangave ditën e shtatë shkurtit të këtij viti nga Policia e Kosovës.

Të njëjtëve u ishin konfiskuar, dy vetura, kompjuterë Laptop, shtëpiza kompjuteri, telefona celularë, USB, foto aparat si dhe dokumente të ndryshme.

Dy autorët e krimit janë pjesë e një organizate e cila merret me veprimtari të jashtëligjshme për vjedhjen dhe shpërndarjen e identiteteve të vjedhura, debit karteleve si dhe kontrabanda të tjera në Internet.

Ndërsa, nga ky krim kibernetik, është vlerësuar se janë shkaktuar dëme që kalojnë vlerën prej 530 milionë dollarëve amerikanë humbje për konsumatorët, bizneset dhe institucionet financiare.

Por, këto nuk janë rastet e vetme të sulmeve kibernetike që janë kryer këtë vit.

Madje, me kalimin e viteve këto raste duket se po shkojnë duke u rritur.

Vetëm në tri vitet e fundit janë raportuar 116 raste të krimeve kibernetike, derisa janë raportuar 469 asistime.

Për të njëjtën periudhë kohore për sulme kibernetike janë arrestuar 41 persona, ndërsa është ngritur kallëzim penal ndaj 74 të tjerëve.

Në Policinë e Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se Kodi Penal i Republikës së Kosovës e po ashtu edhe Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Krimeve Kibernetike nuk e njohin ,,krimin kibernetik’’ si një vepër penale të vetme, por, janë disa vepra që hyjnë në krimet kibernetike.

Sipas Policisë, rastet e sulmeve kibernetike kanë të bëjnë me hyrje në sisteme kompjuterike, keqpërdorim të kartelave dhe pornografi përmes internetit.

“Rastet kanë të bëjnë me hyrje në sisteme kompjuterike (sulme ndaj ueb-faqeve të ndryshme), keqpërdorim i kartelave bankare dhe të kreditit (vjedhja e të dhënave bankare të klientëve të bankave përmes vendosjes së pajisjeve të modifikuara si dhe klonimi dhe përdorimi i kartelave bankare apo të kreditit) si dhe pornografi e fëmijëve përmes internetit”, thuhet në përgjigjet e Policisë drejtuar Gazetës Express.

Ndryshe, ditë më parë Shoqata e Bankave të Kosovës në kuadër të muajit botërorë për sigurinë kibernetike, ka dhënë disa rekomandime për bizneset dhe qytetarët rreth sigurisë kibernetike.

Nëpërmjet një komunikate drejtuar mediave, ata kanë sqaruar se sulmet kibernetike janë fenomen global të cilat nuk kursejnë as Kosovën dhe në veçanti cenojnë bizneset dhe institucionet e ndryshme.

Sipas shoqatës, mashtrimet përmes sistemeve kompjuterike mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme, prandaj Shoqata e Bankave të Kosovës paraqet disa rekomandime për bizneset në mënyrë që të mbrohen më mirë nga sulmet kibernetike.

“Të sigurojnë sistemet kompjuterike me antivirus – rekomandohet që sistemin operativ ta mbani rregullisht të azhurnuar me përditësimet e fundit, po ashtu patjetër të keni të instaluar AntiVirus dhe atë ta mbani rregullisht të azhurnuar. Gjithashtu, edhe aplikacionet tjera siç janë shfletuesit (Explorer, Firefox, Chrome) t’i mbani të përditësuar”, thuhet në njoftim.

Tutje, nga kjo shoqatë sugjerojnë që të mos dërgoni informatat tuaja personale, në veçanti emrin e përdoruesit, fjalëkalimin dhe informatat e kredit kartelës përmes e-mailit, mesazheve të mediave sociale (‘Facebook’ etj.).

“Bizneset e ligjshme, sidomos bankat nuk do t’i kërkojnë përdoruesve të dërgojnë informatat e tyre personale të ndjeshme përmes këtyre mjeteve. mos kryeni transaksione bankare në kompjuterë të cilëve ju nuk u besoni. Mos përdorni Ëi-Fi (lidhje publike të internetit) kur kryeni ndonjë çështje financiare. Përdorni rrjeta të sigurta Ëi-Fi ose 3G për çdo transaksion të sigurt si e-banking dhe transaksione ‘online’ me kartela; mos shkarkoni aplikacione nga ndonjë media përveç tregjeve të aplikacioneve që ofron pajisja juaj e telefonit mobil; në ditët e sotme, është shumë e rëndësishme që detajet e Bankës së përfituesit të pranohen në mënyrën më të sigurtë për të ekzekutuar pagesat me qëllim të shmangies së rrezikut të pagesave të falsifikuara”, thuhet tutje në rekomandimin e tyre.