Trajneri kroat

Kovac kërkon unitet te Bayerni

Bayerni takohet me AEK-un sonte në Champions League teksa të shtunën përballet me Borussia Dortmundin në “Der Klassiker” në Bundesliga dhe trajneri Niko Kovac shpreson të ketë unitet te bavarezët.

Kampionët e Gjermanisë barazuan 1-1 me Freiburgun fundjavën e kaluar duke mbetur 4 pikë prapa rivalëve Dortmundit që njëkohësisht janë edhe lider.

Situata në dhomat e zhveshjes te Bayerni raportohet te jetë e tensionuar me 4 futbollistë që janë kundër trajnerit Kovac dhe e dëshirojnë shkarkimin e tij. Më herët drejtuesit kryesorë të Bayernit i kishin dhënë mbështetjen e tyre ish trajnerit të Eintracht Frankfurtit teksa kërkuan më shumë respekt nga mediat lidhur me raportimet e tyre.

Zhvillimi i fundit në ambientin e klubit bavarez ishte edhe reagimi i gruas së Thomas Muller që e fyeu Kovacim për mos inkuadrimin në lojë të burrit të saj.

Sidoqoftë në prag të sfidës së sontme ndaj skuadrës greke AEK, Kovac ka kërkuar nga të gjithë të bashkohen për të dërguar para Bayernin.

“Unë e kam mbështetjen e drejtuesve, Salihamdzic është gjithmonë i pranishëm në seancat stërvitore. Nëse duhet ta themi publikisht atëherë e bisedojmë edhe këtë. Nëse familja qëndron e bashkuar atëherë jeta është e lehtë. Duhet të qëndrojmë të bashkuar, secili duhet të vendos se cila është rruga e duhur për të zgjedhur. Të gjithë ne kemi përgjegjësi për ta bërë këtë klub të suksesshëm. Më duhet të them gjiashtu se gjithçka çfarë shkruhet në media nuk ia vlen të merremi me të sepse është e gjitha larg realitetet, shpresoj që kjo gjë të ndalet”, u shpreh Kovac.

Trajneri kroat konfirmoi mungesën e Robbenit ndaj AEK-ut ndërsa shpreson që të jetë i gatshëm për derbin e fundjavës kundër Dortmundit.