Kovac e pranon se ndjen presion te Bayerni

Trajneri i Bayernit, Niko Kovac e ka pranuar faktin se ndjen presion në stolin e klubit bavarez pas rezultateve të dobëta, por ka refuzuar të heq dorë nga tentimi për të kthyer kampionët e Gjermanisë në rrugën e duhur.

Bayerni takohet nesër me Fortuna Dusseldorfin në Bundesliga, dy javë pas humbjes në “Der Klassiker” përballë Borussia Dortmundit, ndërsa këtë ballafaqim trajneri kroat e konsideron se duhet fituar me çdo kusht.

Kovac ka marrë lajme të mira nga Arjen Robben që është rikthyer nga lëndimi që e mbajti jashtë fushave për 2 javë, teksa edhe Robert Lewandowski është konfirmuar në formacionin startues, pavarësisht shqetësimeve që pati me kombëtaren e Polonisë.

“Ne nuk do ta shikojmë kreun e tabelës. Vetëm do të fokusohemi në lënien prapa të skuadrave që janë para nesh. Në mënyrë që të realizojmë këtë, na duhen pikët. Sigurisht se ndjej presion, na duhet të fitojmë nesër. Ende e kam synimin e njejtë dhe të gjithë këtu dëshirojnë ta fitojnë titullin, por kur triumfon 6 herë rradhazi është normale që probabiliteti për ta mos fituar kampionatin rritet”, tha Kovac.

Pas 11 javëve të zhvilluara në Bundesliga, Bayerni renditet në pozitën e 5-të me 20 pikë, 7 më pak se Borussia Dortmundi që është lider.